Health & Beauty

Presioni për trupin “ideal” dhe rritja alarmante e përdorimit të steroideve nga të rinjtë, a është e sigurtë?

Ankthi për pamjen fizike tek meshkujt nuk është një fenomen i ri, por në epokën e rrjeteve sociale ai ka marrë përmasa të reja shqetësuese.

Nga ndikimi i influencërve, “body-builders” dhe modeleve të fitnesit, imazhi i trupit mashkullor “të përsosur” është shndërruar në një standard të paarritshëm, duke nxitur një prirje të rrezikshme drejt asaj që sot quhet “hiper-mashkullorësi”.

Në vend që të lidhet vetëm me stërvitjen dhe ushqimin e shëndetshëm, sot një trup i muskulosur shpesh lidhet me përdorimin e steroideve dhe substancave që rrisin performancën.

Ndërsa steroidet përdoren për qëllime mjekësore, përdorimi i tyre i pakontrolluar për qëllime estetike po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm – sidomos i promovuar në rrjetet sociale si një “zgjidhje e shpejtë” për trupin ideal, pa përmendur rreziqet shëndetësore serioze.

Rreziqet që fshihen pas trupave perfektë

Ekspertët paralajmërojnë për efektet e dëmshme që mund të sjellë përdorimi i steroideve.

Steroidet anabolike dhe hormoni i rritjes mund të shkaktojnë probleme serioze kardiovaskulare, dëmtime të mëlçisë dhe çrregullime mendore si depresioni dhe agresioni.

Në një artikull të publikuar në “The Conversation”, Dr. Timothy Piatkowski nga Universiteti Griffith dhe Dr. Samuel Cornell nga UNSW Sydney analizojnë ndikimin e mediave sociale në këtë trend në rritje.

Ata theksojnë se presioni për të arritur trupin e “perfeksionuar” e shtyn të rinjtë drejt vendimeve të rrezikshme, shpesh të bazuara në krahasime të pamundura me figurat publike që ndjekin online.

Iluzioni i trupit “natyral”

Një tjetër rrezik i madh është mashtrimi i imazhit të “rezultatit natyror”. Shumë influencues pretendojnë se trupat e tyre janë produkt i punës së palodhur, ndërsa në realitet përdorin substanca të ndaluara për të arritur pamjen e tyre.

Ky realitet i fshehur krijon pritshmëri të rreme dhe ndjenja pasigurie tek të rinjtë që përpiqen t’i imitojnë ata.

Sipas Dr. Piatkowski, kjo situatë ushqen një cikël të pashëndetshëm vetëvlerësimi, ku mashkullorësia dhe vlera personale maten me madhësinë e muskujve dhe jo me cilësitë reale të individit.

Përdorimi “i kujdesshëm”

Megjithëse disa përpiqen të përdorin steroidet në mënyrë më të kujdesshme – duke bërë analiza gjaku dhe ndjekur këshilla shëndetësore – mungesa e një rregullimi ligjor të qartë dhe mungesa e mbikëqyrjes e bëjnë këtë praktikë gjithsesi të rrezikshme.

Ekspertët bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe edukim për rreziqet reale të përdorimit të steroideve, si dhe për të sfiduar idealet e rreme që promovohen në mediat sociale.

Një trup i shëndetshëm duhet të jetë rezultat i kujdesit, ekuilibrit dhe mirëqenies – jo i presioneve toksike dhe rrugëve të rrezikshme drejt një ideali artificial.