Princi Harry ka humbur mbështetjen e disa prej anëtarëve të fundit të familjes mbretërore që e kishin përkrahur pas largimit të tij nga pallati mbretëror në vitin 2020. Sipas burimeve për Scottish Daily Express, princeshat Beatrice dhe Eugenie, si dhe Zara Tindall, të cilat më parë kishin ruajtur marrëdhënie të ngushta me Harryn, tashmë janë distancuar prej tij pas intervistës së fundit që ai dha për BBC-në.
Deklaratat e Harryt në këtë intervistë kanë shkaktuar reagime të forta brenda familjes, duke përshpejtuar përçarjen. Raportohet se edhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga situata.
Mbretëresha Elizabeth, para ndarjes nga jeta, kishte shprehur dëshirën që dyert e pallatit të mbeteshin gjithmonë të hapura për një rikthim të mundshëm të Harryt dhe Meghan-it. Megjithatë, duket se kjo dëshirë nuk po respektohet më, pasi marrëdhëniet janë ftohur ndjeshëm.
Princesha Eugenie, e cila më parë ishte një nga përkrahëset më të mëdha të çiftit, ka qenë edhe pjesë e dokumentarit të tyre në vitin 2022, por tani raportet mes tyre duket se janë ndërprerë.
Këto zhvillime sinjalizojnë një përçarje të thellë brenda familjes mbretërore dhe një largim të mëtejshëm të Harryt nga rrethi i tij familjar.