Përmes sistemit SMIP, këtë vit u dërguan mbi 16 mijë letra informuese për prindërit, në lidhje me prirjet dhe arritjet e fëmijëve, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës të orientimit në karrierë. Një vit pas vendosjes së rolit të ri të mësuesit koordinator të orientimit të karrierës në shkollat e arsimit parauniversitar, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me mësuesit koordinatorë.
Manastirliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes shkollës, familjes dhe aktorëve të tjerë për t’i orientuar fëmijët drejt zgjedhjeve të informuara për të ardhmen.
Ne kemi mbi 300 mësues që orientojnë nxënësit për të ardhmen në arsimin e lartë, në arsimin profesional apo tregun e punës, të kenë edhe më shumë mekanizma për të forcuar rolin e tyre dhe për të ndikuar në zgjedhjet inteligjente të nxënësve në bashkëpunim me prindërit. Roli juaj është thelbësor dhe i rëndësishëm për identifikimin e prirjeve e talenteve të nxënësve tanë, që jo vetëm nis që në një moshë të hershme, por fillon e konsolidohet duke nisur që nga klasa e 6-të kur nxënësit janë nga mosha 11-12 vjeç.
Identifikimi i prirjeve dhe talenteve fillon me takimet në grup, me vizitat në institucione, me vizitat në biznese, me vetë profesionistët që vijnë në shkollë dhe flasin. Këtë vit, me përfundimin e vitit shkollor, janë më shumë se 16 mijë letra informuese që u kanë vajtur prindërve përmes sistemit SMIP nga mësuesit koordinatorë për orientimin e karrierës, mësuesit kujdestarë, të cilët kanë informuar prindërit për nxënësit, për prirjet, talentet e shfaqura, për arritjet e tyre.
Sipas të dhënave të këtij viti, është regjistruar një rritje prej 10% e interesit të nxënësve për arsimin profesional, duke dëshmuar efektivitetin e këtij roli të ri në sistemin arsimor. Takimi shërbeu edhe si platformë reflektimi mbi sfidat e si një nxitje për mbështetje të mëtejshme për mësuesit koordinatorë, si hallka kyçe për ndërtimin e një sistemi arsimor të orientuar drejt së ardhmes.