Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytetin e Kosovës. Në një konferencë për media, tha se kompania rajonale publike “Pastrimi”, e vetmja e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, nuk është treguar efikase në këtë detyrë.
Do të vazhdojmë që gjendjen emergjente që e kemi shpallur, ta përdorim për angazhimin e kompanive private për të ndihmuar për pastrimin e mirëfilltë të kryeqytetit.
Edhe vitin e kaluar, komuna pati shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe përkohësisht angazhoi operatorë privatë shtesë për të bërë grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet. Por, sipas Ramës, një angazhim më afatgjatë u bë i pamundur nga anëtarët e opozitës në Asamblenë Komunale.
Me miratimin e një rregulloreje, e cila i dha ndërmarrjes “Pastrimi” të drejtën ekskluzive për këtë shërbim.
Gjithashtu, gjatë vitit 2024, punëtorë të kompanisë “Pastrimi” ishin ankuar duke protestuar para Komunës, kundër angazhimit të kompanive private që siç thanë, “paraqesin rrezik për falimentimin e tyre”.
Kompania “Pastrimi” është ndërmarrje publike lokale me rreth 900 punëtorë, e cila kryen shërbime për grumbullimin e mbeturinave për disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën. Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje në email-in e kësaj kompanie në lidhje me deklarimin e fundit të kryetarit të Prishtinës dhe është në pritje të përgjigjeve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, vuri në dukje se situata aktuale “e tejkeqësuar” i ka detyruar të shpallin sërish gjendjen e jashtëzakonshme.
Kompania “Pastrimi” me logjistikën që ka pasur, nuk pati mundësi t’u ofrojë qytetarëve as kontejnerët, as mekanizmin e duhur për bartjen e mbeturinave. Një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish.
Ndërmarrjet publike të angazhuara për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, shpesh përballen me mungesë kapacitetesh si pasojë edhe e vështirësisë për mbledhjen e borxheve nga qytetarët. Punëtorë të këtyre ndërmarrjeve kanë protestuar shpesh, madje duke mbajtur edhe greva në lidhje me kushtet e punës e pagat e ulëta.