Auto & Moto

Prodhuesi i sediljeve të makinave Recaro i shpëton falimentimit!

Prodhuesi gjerman i sediljeve të makinave Recaro shpëtoi nga falimentimi me investimin e kompanisë italiane Proma Group. Recaro, e cila punëson 215 njerëz në degën e saj gjermane në “Kirchheim unter Teck”, ka qenë në vështirësi financiare dhe pritej falimentim në muajin korrik. Me hyrjen e Proma Group si investitor, vijimi i prodhimit pritet në fillim të vitit të ardhshëm. Selia gjermane, e cila përfshin gjithashtu një fabrikë prodhimi, do të vazhdojë të luajë një rol në të ardhmen e kompanisë.

Proma Group është një lojtar i rëndësishëm në prodhimin e sedilejeve të makinave dhe menaxhon 26 fabrika në tre kontinente. Në kuadër të marrëveshjes me gjermanët, është planifikuar që një pjesë e prodhimit të Recaro të zhvendoset në fabrikat e Promas në Itali. Kjo lëvizje nga Proma është pjesë e një strategjie më të gjerë për të siguruar operacione më efikase dhe ulje të kostos në kompani.

Zëdhënësja e Proma Group shprehet se shohin potencial të madh te Recaro Automotive dhe se duan ta rikthejnë kompaninë në rrugën e duhur. “Ne besojmë fort në të ardhmen e Recaros dhe aftësinë tonë për të përdorur sinergjinë ndërmjet kompanive”-tha zëdhënësi. Recaro ka qenë një furnizues i rëndësishëm i sediljeve të automjeteve për shumë vite, veçanërisht në makinat e orientuara nga performanca.