Rajoni

Protesta e 15 marsit në Beograd, BE: Ulni tensionet!

Bashkimi Europian i tha Serbisë se vlerat themelore janë në thelb të “projektit të përbashkët europian” dhe duhet të respektohen ndërsa bëri thirrje për uljen e tensioneve. Reagimi i Brukselit vjen pas paralajmërimeve për një tubim të madh në Beograd, që planifikohet më 15 mars e ku autoritetet serbe parashikojnë “dhunë të madhe”. Presidenti Vuçiç ka paralajmëruar arrestime.

Kjo ka të bëjë edhe me lirinë e tubimit si e drejtë themelore, u tha në përgjigjen dërguar për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e BE-së.

Po ashtu, Unioni deklaroi se pjesëmarrja e qytetarëve luan rol kyç në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike, duke përfshirë promovimin e transparencës dhe përgjegjësisë. Ditët e fundit, Vuçiç ka paralajmëruar disa herë se “opozita do të organizojë dhunë më 15 mars” dhe se “të gjithë ata që marrin pjesë në të do të arrestohen”.

Vazhdimisht, BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve, duke krijuar kushte për një dialog që përfshin të gjitha palët e interesuara, aktorët politikë, institucionet dhe anëtarët e shoqërisë civile, për t’u marrë me reformat e nevojshme për të ardhmen e Serbisë në BE, thuhet në përgjigjen nga Brukseli.

Zyrtarët e Bllokut konfirmuan se po ndjekin me kujdes situatën e brendshme politike në Serbi dhe mobilizimin e madh të studentëve dhe grupeve të tjera.

Kur u pyetën për deklaratat e Vuçiçit, i cili thotë se Perëndimi qëndron pas “revolucionit shumëngjyrësh”, ashtu siç e quan mobilizimin e studentëve dhe qytetarëve në Serbi, zyrtarët e BE-së theksuan:

Dezinformatat dhe retorika politike, përfshirë ato kundër BE-së e shteteve anëtare nuk kanë vend në rrugën drejt integrimit në BE.

Studentë të Serbisë apeluan për një tubim, duke e cilësuar si “mbledhjen më masive ndonjëherë” në kryeqytetin serb, më 15 mars. Drejt Beogradit po marshojnë studentë nga rajone të ndryshme të Serbisë, të cilët do të kalojnë dhjetëra kilometra për të marrë pjesë në tubimin e pas tre ditëve.

Prej 4 muajsh, studentët po organizojnë tubime në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes të një strehe betoni në stacionin hekurudhor, më 1 nëntor 2024. Përmes bllokadave dhe protestave, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit lidhur me rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin, ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëmarrësve në protestat e deritanishme, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve në demonstrata.

Autoritetet serbe pretendojnë se kanë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit e mohon këtë pretendim në raportin e tij.