Vijon prej dy javësh bllokimi i aksit rrugor Kakavijë-Janinë. Pas njoftimit të marrë nga pala greke, edhe sot, Policia Kufitare e Kakavijës bëri me dije se do të vijojë bllokimi i këtij aksi nga ora 19:00 deri më 22:00, si pasojë e protestës së fermerëve grekë të cilët prej javësh kërkojnë përshpejtimin e subvencioneve të BE-së dhe mbështetje përballë krizës në bujqësi.
Policia Kufitare sqaron se në aksin rrugor Kakavijë-Janinë do të lejohet vetëm qarkullimi i automjeteve për emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës, thuhet në njoftim.