Beogradi është blinduar nga forcat policore për protestën gjigante të studentëve. Transporti publik është pezulluar ndërsa protestuesit kërkojnë përgjegjësi politike për atë që ndodhi në fillim të nëntorit të kaluar kur rrëzimi i një strehe betoni në stacionin hekurudhor të sapo rindërtuar të Novi Sadit, iu mori jetën 15 personave.
Në disa pjesë të kryeqytetit serb, studentët mbajtën 15 minuta heshtje, në nderim të 15 viktimave të Novi Sadit. Ky veprim përsëritet çdo ditë në shtetin serb, në orën 11:52, koha e saktë e rrëzimit të strehës. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç tha se gjatë natës u regjistruan disa incidente në Beograd dhe 13 persona u ndaluan për prishje të rendit publik.
Disa janë ndaluar për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente janë drejtuar për nga Parku i Pionierit. Shumica e traktorëve u dëmtuan. Ka pasur përpjekje për t’iu vënë zjarrin traktorëve, tha Daçiç.
Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete. Ata e quajnë veten “studentët që duan të mësojnë”. Disa fajësojnë partinë në pushtet të presidentit serb, Aleksander Vuçiç, Partinë Përparimtare Serbe se qëndron pas protestave të studentëve që janë mbledhur në park.
Studentët kanë bërë thirrje që të mbahet një protestë paqësore. Qytetarëve që do të marrin pjesë në këtë organizim iu kërkuan, që të mos përfshihen në konflikte fizike apo verbale.
Ju lutemi, ndiqni udhëzimet e kujdestarëve tanë! Mos dilni jashtë zonës së përcaktuar për tubim dhe tregoni kujdes ndaj punimeve nëpër rrugë, u tha në një postim të studentëve në Instagram.
Prej orëve të para të mëngjesit, ata u mblodhën në pesë pjesë të ndryshme në Beogradit dhe më pas u nisën në drejtim të Kuvendit të Serbisë për të zhvilluar manifestimin kryesor. Protesta pritet të nisë zyrtarisht në orën 16:00, ndërsa në orën 17:00 do të bëhet leximi i kërkesave që kanë.
Shumë persona janë parë mbrëmë duke mbajtur pankarta me mbishkrimin: “Studentë, Beogradi është i juaji”, teksa i kanë pritur ata në kryeqytet, me medalje e me lule po ashtu.