Rajoni

Protestat në veri të Kosovës, drejtuesit e Listës Serbe me protestuesit në Zveçan!

Hyjnë në javën e dytë protestat e serbëve të veriut të Kosovës kundër hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Me protestuesit në Zveçan, sot janë dhe drejtuesit e Listës Serbe, kryetari Goran Rakiç e nënkryetari Igor Simiç. Vazhdimisht, ata i bëjnë thirrje pjesëtarëve të KFOR-it, që të jenë garantuesit e vetëm të sigurisë në atë pjesë e të mos ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Nëse në veri të Kosovës, sërish mbahen zgjedhje, Lista Serbe kushtëzon pjesëmarrjen me plotësimin e dy kushteve:

Forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe tha se çelësi për uljen e tyre është të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët që i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.

Po ashtu, përmend nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan. Ata dyshohen për “Veprimtari antikushtetuese, me qëllim sulmin kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “Sulm ndaj zyrtarëve”.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë i bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë të komunave në veri, si dhe iu bëri thirrje qytetarëve, të mos dalin në zgjedhje. Për pasojë, në votime ishte mjaft e ulët, por kjo nuk i pengoi kryetarët e zgjedhur shqiptarë të bënin betimin e të merrnin detyrat mes kundërshtive të plota.

Ata plotësuan vendet e lëna bosh nga serbët që pas dorëheqjeve të nëntorit të vitit të kaluar ndërsa kërkojnë krijimin e Asociacionit të komunave serbe në veri.

Serbët janë duke vazhduar protestat në tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Disa diplomatë kërkojnë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, ndërsa Prishtina zyrtare po jep shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.

Për sot paradite është bërë thirrje për protestë masive në komunën e Zveçanit, por burime nga terreni raportojnë se për momentin aty ndodhen vetëm disa protestues, shumë të paktë në numër krahasuar me ditët e kaluara. Kujtojmë se protestat zhvillohen prej 26 majit, por nga e hëna e 29 majit, janë kthyer në të përditëshme.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot dhe nesër vizitojnë Prishtinën e Beogradin, për takime me drejtuesit më të lartë shtetërorë, mes tyre kryeministri Albin Kurti e presidenti serb, Aleksander Vuçiç.