Sekretariati i Etikës do të mblidhet sërish sot në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e PS për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës që u përfshinë në skenarin e kaosit në seancën plenare të Kuvendit (18 dhjetor).
Mbledhja e kaluar u shty pasi deputetët kërkuan të njihen me provat. PS i kërkon Prokurorisë të verifikojë nëse duhet të nisë hetim ndaj Flamur Nokës dhe Klevis Balliut për goditjet ndaj punonjësve të Gardës. Për maxhorancën, aktet e dhunës ishin të mirëorganizuara nga drejtuesit e PD-së, vetë kryetari Sali Berisha, Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi.
PS-ja kërkon përjashtim 60 ditë nga punimet e Kuvendit, për Flamur Nokën dhe Klevis Balliun, të cilët u përplasën fizikisht me punonjësit e Gardës, për Sali Berishën dhe Gazment Bardhin si organizatorë të dhunës, si dhe për deputetët që ndezën tymuese në sallë, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli e Denisa Vata. Ndërkaq, për 19 deputetë të tjerë të cilët rrethuan foltoren, PS-ja kërkon 10 ditë përjashtim.