Aktualitet Politikë

Shtyhet mbledhja e Sekretariatit të Etikës për “ndëshkimin” e opozitës/Bardhi: Doni Kuvend njëpartiak!

Shtyhet për të martën ora 10:00, mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku do të shqyrtohet kërkesa e PS-së për përjashtimin e 29 demokratëve. Të gjithë deputetët opozitarë u paraqitën në mbledhje, ku pretenduan se po përjashtohen padrejtësisht. Maxhoranca kërkon përjashtim me nga 10, 30 e 60 ditë pas kaosit në seancën plenare të një dite më parë, e fundit për 2025-ën.

Kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi kërkoi prova konkrete nga deputetët që kanë firmosur për pezullimet. Sipas tij, akuzat janë të pabazuara dhe përdorin, “terma të Sigurimit të Shtetit”.

Keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohet i përgjegjshëm. Të tregoheni të përgjegjshëm dhe të jepni fakte. Të mos vini këtu e të akuzoni me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.

Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 09:00.

Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat.