Gossip

Pse Brooklyn Beckham “i bëri bllok” prindërve dhe motrës nga rrjetet sociale?

Në prag të Krishtlindjeve, festës që simbolizon bashkimin familjar, Brooklyn Beckham ka ndërmarrë një hap drastik që ka tronditur opinionin publik: ai ka ndërprerë të gjitha lidhjet dixhitale me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, si edhe me vëllezërit e motrat, Romeo, Cruz dhe Harper.

Marrëdhëniet mes djalit të madh të Beckham-ave dhe familjes së tij duket se janë tensionuar ndjeshëm muajt e fundit, por veprimi i fundit i Brooklyn vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm, vetëm pak ditë para festave të fundvitit.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, shkëndija që ndezi konfliktin ishte një detaj i papritur: një “pëlqim” nga Victoria Beckham në një postim të Brooklyn në rrjetet sociale.

Ky veprim thuhet se çoi në një valë komentesh nga ndjekësit, të cilët e nxitën të riun të pajtohej me familjen. Presioni publik e ka irrituar Brooklyn, i cili reagoi duke bllokuar fillimisht nënën e tij.

Por situata u përshkallëzua shpejt. Brenda pak orësh, lista e të bllokuarve u zgjerua duke përfshirë edhe David Beckham dhe tre fëmijët e tjerë të familjes.

Burime pranë çiftit Beckham janë shprehur se ata janë thellësisht të zhgënjyer dhe të zemëruar, sidomos për shkak të kohës kur ndodhi kjo përçarje.

Zhurma në rrjetet sociale ishte aq e madhe, sa Cruz Beckham u detyrua të reagojë publikisht për të mohuar thashethemet se prindërit kishin “hequr ndjekjen” ndaj Brooklyn-it, duke sqaruar se situata është më komplekse nga sa duket.

Ndërsa Brooklyn ka deklaruar se dëshiron t’i zgjidhë gjërat larg syrit të publikut, veprimi i tij i fundit ka bërë të kundërtën, duke ndezur edhe më shumë spekulimet për një krizë të thellë në familjen Beckham.