Lifestyle Love & Sex

Pse disa njerëz nuk durojnë dot të jenë vetëm dhe nisin lidhje njëra pas tjetrës?

Disa persona sapo mbyllin një lidhje, hyjnë menjëherë në një tjetër. Për rrethin shoqëror duken “fatlumë”, sepse “nuk rrinë kurrë vetëm”, por psikologët e quajnë këtë shpesh strategji shmangieje: në vend që të përballen me dhimbjen dhe boshllëkun, kërkojnë menjëherë një zëvendësim.

Frika nga vetmia është një ndër arsyet kryesore. Për disa, të jenë vetëm do të thotë të përballen me mendimet e tyre, pasiguritë, dyshimet dhe dhimbjet e papërpunuara.

Një partner i ri bëhet si “anestezion emocional”: e mbulon përkohësisht dhembjen, por nuk e shëron.

Ka edhe nga ata që e lidhin vlerën personale vetëm me faktin që janë të dëshiruar nga dikush.

Kur nuk janë në lidhje, ndihen të padukshëm, të pavlefshëm, të paplotë. Çdo vëmendje e re romantike përjetohet si “prova” që vlejnë, ndaj kapen fort pas saj, edhe nëse partneri i ri nuk është i përshtatshëm.

Problemi me këto lidhje “plaster” është se shpesh përsërisin të njëjtin model: zgjedhin shpejt, pa reflektuar çfarë duan realisht, pa kuptuar çfarë nuk funksionoi në lidhjen e kaluar.

Rezultati? Marrëdhënie të ngjashme, konflikte të ngjashme, dhimbje të ngjashme, vetëm fytyra të ndryshme.

Psikologët sugjerojnë që periudhat “single” të mos shihen si dështim, por si mundësi. Kohë për të reflektuar, për të shëruar, për t’u njohur më mirë me veten, për të rikthyer marrëdhëniet me miq dhe pasione personale.

Sa më mirë të dimë kush jemi dhe çfarë duam, aq më e lehtë është të zgjedhim një partner që na përshtatet, jo thjesht dikë që mbush boshllëkun.