Si janë macet? Padyshim, të bukura e të pëlqyeshme për një pjesë të madhe të njerëzve, por ato janë edhe eksploruese nga natyra. Hedhin sende nga tavolinat, hyjnë në kutitë më të ngushta e prekin gjithçka edhe që nuk duhet.
Kjo nuk është mungesë disipline, por kuriozitet i pastër, thuhet në një studim sipas “Oregon Rover Press”.
Por pse macet janë kaq kurioze?
Nga kutitë e vogla, te eksplorimi i hapësirave të reja, sjelljet e tyre burojnë nga instinktet e trashëguara dhe mënyra si janë rritur. Ekspertët thonë se kjo kureshtje nuk është thjesht lojë: është një mënyrë mbijetese, një mënyrë për të kuptuar botën që i rrethon.
Instinkti i grabitqarit dhe preja
Ekspertët për sjelljen e maceve i përshkruajnë si mesopredatore, njëkohësisht grabitqare dhe pre.
Duhet të jenë gjithmonë të vëmendshme ndaj rreziqeve e mundësive për të gjetur ushqim. Vëzhgimi i vazhdueshëm dhe hetimi i mjedisit janë pjesë e natyrës së tyre kureshtare.
Anatomia e kuriozitetit
Macet janë ndërtuar për të eksploruar. Veshët që lëvizin në mënyrë të pavarur, mustaqet që nuhasin më shumë nga sa duket, hundët me receptorë të shumtë dhe sytë e ndjeshëm, i bëjnë të përkushtuara ndaj çdo detaji. Nuk është çudi që një mace ndjek çdo lëvizje të vogël në shtëpi apo vëzhgon një objekt që sapo është zhvendosur.
Kurioziteti, shkak i inteligjencës
Mendjet e gjalla janë kurioze, thotë Stephen Grand, studiues i sjelljes së kafshëve. Ngjitja në pemë apo kërkimi i gjërave në vende të papritura nuk është mungesë gjykimi, por shprehje inteligjence.
Macet mësojnë për botën rreth tyre duke eksploruar.
Mësim nga kotelet
Kotelet janë më të kureshtare sepse janë duke mësuar çdo ditë.
Periudha më e ndjeshme është midis dy dhe nëntë javësh.
Pas kësaj moshe, macet nuk e humbasin kuriozitetin, por janë më të kujdesshme e më pak të gatshme për eksperienca të reja.
Kurioziteti dhe ushqimi
Madje edhe pas një vakti, macet mund të kërkojnë ushqim të ri. Sipas “International Cat Care”, kjo nuk do të thotë se ato janë gjithmonë të uritura, por se instinkti i tyre i mbijetesës i bën të jenë të gatshme për çdo mundësi për të ngrënë.
Vëmendja përmes kuriozitetit
Kurioziteti i mban macet të vëmendshme dhe të gatshme për çdo situatë. Macet eksplorojnë hapësira të reja për të gjetur vende të sigurta për të fjetur, për të gjetur ushqim ose për t’u mbrojtur nga grabitqarët.
Një mënyrë për të tërhequr vëmendjen
Kur macet prekin bimët apo ngjiten në tavolinë, shpesh ato kërkojnë vëmendjen tuaj. Ky është një mënyrë për të komunikuar dhe për të ndërvepruar me pronarin.
Kurioziteti ndihmon lidhjen me njeriun
Studiuesit thonë se kureshtja nuk lidhet vetëm me nevojat biologjike. Në shoqëritë moderne, kurioziteti shërben për të krijuar lidhje dhe për të ndjerë përfshirje me njeriun.
Kurioziteti mund të shkaktojë probleme
Megjithatë, kurioziteti mund të çojë në sjellje të padëshiruara, si dëmtimi i bimëve apo sendeve në shtëpi. Specialistët këshillojnë të ofrohet një mjedis i sigurt e stimulues, duke përdorur aktivitete natyrale si ngjitja, gërvishtja dhe gjuetia për të menaxhuar sjelljen.
Përfundim
Kurioziteti është pjesë thelbësore e qenies së një maceje dhe i bën të dashura, tërheqëse e shpesh të padisiplinuara. Megjithatë, gjithmonë është e rëndësishme të dallojmë kuriozitetin nga një nevojë reale për stimulim apo kujdes shëndetësor. Kur keni dyshime për sjelljet e tyre, konsultimi me veterinerin është hapi më i mirë.