Lifestyle

Cilat perime janë rrezik serioz për macet dhe qentë?

Shumë pronarë kafshësh mendojnë se frutat dhe perimet që janë të dobishme për njerëzit janë po aq të shëndetshme edhe për macet apo qentë e tyre.

Por ekspertët theksojnë se kjo nuk është gjithmonë e vërtetë. Në fakt, disa prej tyre mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Sipas veterinerëve, qepët dhe hudhrat renditen mes ushqimeve më toksike për kafshët shtëpiake dhe duhen shmangur me çdo kusht.

Këto perime përmbajnë substanca të quajtura tiosulfate dhe disulfide, të cilat dëmtojnë rëndë qelizat e kuqe të gjakut. Si pasojë, kafsha mund të zhvillojë anemi hemolitike – një gjendje që pengon transportin e oksigjenit në trup dhe që në raste ekstreme mund të çojë në vdekje.

Edhe një sasi e vogël hudhre apo qepe, e konsumuar rregullisht ose në ushqime të gatuara për njerëz, mjafton për të shkaktuar pasoja serioze.

Simptomat e helmimit mund të shfaqen pas disa orësh ose ditësh, dhe përfshijnë: vjellje, diarre, mungesë oreksi, dobësi të theksuar, zbehje të mishrave të gojës dhe vështirësi në frymëmarrje.

Shumë pronarë nuk e dinë se edhe qepët e njoma, pluhurat e hudhrës apo ushqimet e gatshme që i përmbajnë këto janë po aq të rrezikshme

-paralajmërojnë specialistët.

Ushqime të zakonshme si qoftet, salcat apo supat mund të bëhen burim i rrezikut nëse konsumohen nga kafshët.

Në rast se një mace apo qen ka ngrënë qepë ose hudhër, veterinerët këshillojnë që të kërkohet menjëherë ndihmë profesionale dhe të mos pritet përkeqësimi i simptomave, pasi trajtimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësinë e shërimit të plotë.

Për të shmangur raste të tilla, ekspertët rekomandojnë që kafshët të ushqehen vetëm me produkte të posaçme për to dhe që pronarët të jenë gjithmonë të kujdesshëm me mbetjet e ushqimit në shtëpi.

Kujdesi dhe informimi i vazhdueshëm mbeten mënyra më e mirë për të garantuar shëndetin dhe jetën e gjatë të miqve me gëzof.