Ora e kursimit të dritës së ditës u rikthye natën midis të shtunës dhe të dielës e do të mbetet në fuqi gjatë gjithë muajve të verës, me akrepat që kthehen 60 minuta prapa gjatë fundjavës së fundit të tetorit. Konkretisht, më 03:00 të mëngjesit të 25 tetorit kur kthehet ora standarde.
Pajisjet elektronike dhe të lidhura me internetin (siç janë PC-të, tabletët, telefonat inteligjentë e orët inteligjente) përditësohen automatikisht, ndërsa orët dhe pajisjet analoge duhet të rivendosen manualisht.
Pse ndryshimi i orës ndodh më 2 të mëngjesit?
Koha për të zhvendosur orët nuk u zgjodh rastësisht. Ndryshimi ndodh kur ka më pak trena dhe avionë në lëvizje, duke minimizuar keqkuptimet e mundshme në lidhje me oraret e nisjes e të mbërritjes.
A është e dobishme?
Ndërsa jo të gjithë e mirëpresin zhvendosjen e orëve përpara, fakti që kursimet në faturat e energjisë mbeten të konsiderueshme nuk mund të neglizhohet. Përfitimet e kohës së verës shtrihen edhe në mjedis: konsumi më i ulët i energjisë elektrike në fakt ka parandaluar afërsisht 145 mijë ton emetime të CO2 në atmosferë.
Efektet e privimit të gjumit
Eshtë e lehtë të kuptohet pse shqetësimet që lidhen me “jet lag” nga kursimi i orës, konsiderohen si çmim i vogël për t’u paguar për një kauzë të mirë. Megjithatë, le të jemi të kujdesshëm që të mos nënvlerësojmë shqetësimet dhe ndërprerjet që lidhen me ndryshimin.
Në ditët e para, ne flemë një orë më pak, me pasoja të prekshme për shëndetin tonë. Disa studime shkencore kanë treguar se në ditët pas kalimit në orën e kursimit, vërehen efekte të matshme në shëndetin dhe sigurinë e njeriut: nga një rritje e infarkteve akute të miokardit (+3-4%) deri në një rritje të aksidenteve në vendin e punës (+5-6%) dhe aksidenteve rrugore, me gabime të lidhura me zvogëlimin e vëmendjes që vijnë si rezultat i orëve më të shkurtra të gjumit.