Në kontrast me obsesionin modern për organizim perfekt dhe estetikë minimaliste, disa nga mendjet më kreative të historisë, nga Albert Einstein te Steve Jobs, janë njohur për tryezat e tyre të rrëmujshme. Kjo nuk është rastësi. Studimet e fundit po zbulojnë se rrëmuja mund të nxisë mendimin krijues dhe inovativ, duke sfiduar normën se kreativiteti lidhet me rregullin.
Një eksperiment i kryer nga University of Minnesota zbuloi se pjesëmarrësit që punonin në ambiente të çrregullta gjetën më shumë ide unike dhe përdorime jo të zakonshme për objekte të zakonshme, krahasuar me ata që punonin në ambiente të pastra. Studiuesit shpjegojnë se:
Ambientet e rrëmujshme shkatërrojnë rregullat e mendjes, duke e shtyrë atë të kërkojë lidhje të reja dhe të mendojë ndryshe.
Në vend që të nënkuptojë dembelizëm, rrëmuja në ambientet krijuese pasqyron mendjen që është në proces, që eksploron, që nuk ka frikë të gabojë dhe të shpikë. Është një rrëmujë që gjeneron zgjidhje të papritura, e jo thjesht një kaos i pakuptimtë. Psikologët thonë se:
Njerëzit me prirje të forta kreative shpesh e shohin rrëmujën si një zgjatim të mënyrës së tyre të menduarit jokonvencional, ku çdo send, fletë apo ngjyrë mund të jetë një “shkas” për një ide të re.
Kjo nuk do të thotë që rrëmuja është gjithmonë pozitive, mund të krijojë ankth për disa, por nëse je një mendje krijuese që funksionon më mirë me libra të hapur, shënime të shpërndara dhe një mjedis të larmishëm… ndoshta s’ke pse të ndihesh në faj. Në fund, ndoshta s’ka rëndësi nëse tavolina është e pastër, por nëse mendja është e lirë të fluturojë.