Lifestyle

Pse të dish të rrish vetëm është aftësia më tërheqëse e këtij viti?

Dikur, të ishe vetëm shihej si boshllëk. Sot, është deklaratë force. Të diturit të rrish vetëm. me veten, pa ndjesinë e mungesës, pa ankth për vëmendjen, po cilësohet si një nga virtytet më tërheqëse në epokën moderne.

Nuk ka më asgjë të trishtuar tek një drekë solo në një bistro të vogël me muzikë jazz. Asgjë të çuditshme tek një udhëtim të vetëm në një qytet europian për të shijuar ekspozita, për të lexuar në park apo për të bërë një mini-detox social. Kultura e vetë-mjaftueshmërisë nuk nxit vetminë, por vetëdijen. Në një botë që kërkon vazhdimisht ndërveprim, ajo është një hap mbrapa, për të reflektuar, për të zgjedhur më me kujdes, për të mos hyrë në marrëdhënie nga frika, por nga dëshira. Të jesh mirë me veten është si të kesh një themel të fortë. Të tjerët nuk bëhen mbështetje, por zgjerim i botës tënde.

Më shumë se romancë, është çlirim. Nuk ke më nevojë për dikë që të plotësojë, por për dikë që të kuptojë dhe të respektojë hapësirën tënde.

Për më tepër, vetmia e zgjedhur është edhe estetikisht e bukur. Rrugët e qeta me kufje në vesh, ritualet e mëngjesit vetëm për vete, qirinjtë që digjen ndërsa lexon, nuk janë pamje të trishtueshme, por momente që shënojnë kontrollin tënd mbi kohën dhe ritmin personal. Pra, po: të dish të rrish vetëm është seksi. Është një shenjë e re pjekurie, një fuqi e butë që ndriçon pa zhurmë. Në vend të fjalës “single”, ndoshta duhet të përdorim “i lirë”. Sepse s’ka asgjë më tërheqëse se dikush që është i lirë me vetveten.