E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Almeda Xhaferri. Ajo ka folur më shumë mbi marrëdhëniet toksike, si t’i dallojmë ato, si dhe narcistët…
Si nisin marrëdhëniet toksike?
Marrëdhëniet toksike nuk nisin toksike që në fillim. Toksikët fillojnë të ndërtojnë nj raport në dukje magjik, të bëjnë ‘lovebomb-ing’, ku të japin vëmendje, prezencë, përkushtim, dhurata, dhe ti gradualisht fillon kapesh pas kësaj përshtypje të jashtëzakonshme dhe mendon se pas kësaj fasade është një shpirt i bukur, por në fakt jo, është një shpirt bosh që të gjithë atë që kishte për të ta dhënë, ta ka dhënë në fillim. Kështu që të gjitha sjelljet refuzuese, abuzuese, tradhtitë, herë pas here këta persona që tradhtojnë të zhvlerësojnë, me kalimin e kohës ne i minimizojmë të gjitha këto pasoja dhe efekte negative dhe kapemi pas kujtimit të bukur fillestar. Prandaj gradualisht humbim veten, se ne po kërkojmë diçka që nuk e ka tek një person që ne shpresojmë, sepse e kemi brenda kokës tonë atë kujtimin e bukur fillestar. Janë padiskutim njerëz që japin dhe mesazhe të dyfishta, kjo e shton shumë atë dhimbjen tonë shpirtërore. Nuk je kurrë e qartë. Nëse bëhet fjalë për një burrë toksik, është ai burrë që i thotë gruas së vet që nuk i pëlqen që ajo të lyhet shumë dhe të mos vishet në mënyrë provokuese, të jetë e padukshme dhe e fisme estetikisht, dhe ti kur del me të në darkë, atij ia tërheqin vëmendjen të gjithë femrat që janë të lyera, të bukura, të grimuara, provokuese dhe ti nuk arrin të kuptosh a të pëlqen ty, që je sa më pak e dukshme, apo pëlqen ato. Personat me trajtë narcizizmi, dominantë apo kontrollues, në thelb kanë frikën e braktisjes. Padiskutim që një partnere e pavarur, me vetëbesim të lartë, që tërheq vëmendjen e tjetrit, ka shumë gjasa që në një marrëdhënie abuzive nuk rri gjatë, prandaj ata të bëjnë të kesh në dyshim veten, sa vlen ti, kush do të dojë ty. Patjetër që ata vetë janë të gatshëm që kërkojnë kënaqësi të shpejta, në mënyrë seriale, pra sistematike nga njerëz të ndryshëm, sepse në thelb ata kanë një boshllëk shumë të madh emocional dhe kanë nevojë të ndiejnë që vlejnë. Prandaj e duan të bukurën dhe provokuesen tek tjetra, por kur bëhet fjalë tek partnerja e tyre, duan të kenë një lloj stabiliteti, që ty të kanë aty dhe ty nuk të humbin kurrë. Të presin krahët e lirisë.