E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Almeda Xhaferri. Ajo ka folur më shumë mbi marrëdhëniet toksike, si t’i dallojmë ato, si dhe narcistët…
Çfarë do të thotë marrëdhënie toksike?
Jetojmë në një kohë ku ushqehet pak kultura e personaliteteve narciziste dhe dashur-padashur ne i ndeshim kudo. Janë persona që me trajtat e tyre të vetëkënaqësisë na zhysin në raporte që ne gradualisht humbasim veten. E kapim veten pas 10 vitesh, apo 7 vitesh, apo 3 vitesh, dhe themi ‘kush jam unë tani dhe sa kam ndryshuar nga pika e parë e kontaktit me këtë person. Një marrëdhënie toksike duhet konsideruar si një lloj errësire që gradualisht na rrëmben të gjithë dritën dhe ne humbasim jo thjesht identitetin tonë, por humbasim vlerat, shtyllat, pikat kryesore të besimit, vëmë në pikëpyetje veten; ‘a jemi mjaftueshëm, a jemi të mira, a e meritojmë dashurinë e tjetrit, a është gjithmonë dikush atje jashtë që është më i mirë, meriton më shumë vëmendje, meriton më shumë vlerësim?’ Dhe futemi në një luftë të brendshme për të mbajtur një raport ku ai tjetri është i madhërishëm, që na vë në pikëpyetje, që na bën të ndihemi jo të mirë mjaftueshëm, dhe ne luftojmë ta mbajmë.