Live From Tirana Sociale

Psikologia ngre alarmin: “Dramat më të mëdha të abuzimit me fëmijët ndodhin me rrethin e afërt!”

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Besarta Taçi, për të folur më shumë mbi problematikat e shfaqura në serialin viral “Adolescence” dhe sa aktuale janë sot në marrëdhënien prind-fëmijë…

Të ndihmojmë fëmijët të kuptojnë trupin e tyre, higjienën në përditshmëri, duhet të kujdesen prindërit. Dhe nëse ata e ndiejnë veten në siklet, ose nëse dikush po i shikon, ose dikush mund të afrohet ose mund t’i prekë, ata duhet të kërkojnë ndihmë tek prindërit e tyre, pra duhet t’ia japim këtë si mesazh. Sepse nëse nuk e bëjmë, fatkeqësisht ata nuk dinë se si këtë eksperiencë që po përjetojnë çfarë emri t’i japin. Mos të harrojmë një element tjetër, që dramat më të mëdha në lidhje me abuzimet seksuale, ndodhin në rrethin e besimit. Pra tek ai personi që ka çelësin e shtëpisë, tek ai personi që i themi të na mbajë fëmijën. Në ato momente ku prindi ul përqëndrimin dhe vëzhgimin karshi fëmijës. Dhe ndërkohë kur ti bëhesh prind, absolutisht vëmendja jote duhet të jetë 100 % tek fëmijët. Unë e di shumë mirë që puna, vështirësitë, marrëdhënia me partnerin, janë elementë që ndikojnë. Fëmijët duhet t’i ruajmë absolutisht nga të gjithë. 

Erjona Rusi ka bërë një deklaratë të fortë ku thoshte se fëmijën nuk mund t’ia besosh as mësuesit…

Me Erjonën kemi bërë një intervistë para shumë vitesh, ku e kemi prekur këtë temën me shumë detaje dhe ajo pastaj publikoi një artikull të mirëqartësuar. Ishte një intervistë që ajo regjistroi dhe unë sillja dhe shembuj shumë konkret. Dhe me të vërtetë, marrëdhënia me mësuesin është një marrëdhënie besimi, edhe marrëdhënia me trajnerin e futbollit. Duhet të prekim të dyja gjinitë gjithmonë. Kur flasim për mbrojtje, duhet të prekim të dyja gjinitë. Sepse tendenca jonë është që të kujdesemi më shumë për vajzat. Edhe statistikat na tregojnë që vulnerabiliteti më i madh është tek vajzat. Por ne duhet të kujdesemi për të dyja gjinitë, sepse ky film e tregon. Unë jam e bindur që pjesa më e madhe e prindërve që kanë parë këtë film, nuk kanë perceptuar agresivitetin tek ai baba, që është aq i dashur, aq mirëkuptues në puntatën e parë, pastaj gradualisht tregon si ai baba në momente të caktuara e humbte kontrollin. Dhe fjalia që dëgjohej rëndomë ishte ‘bashkëshorti im është njeri shumë i mirë, por ndonjëherë e humb kontrollin’. Fëmijët e tu shikojnë në ato momente dhe tolerojnë dhunën tek babai i tyre, por e tolerojnë tek vetja. Dhe nëse është mashkull, ai mëson të raportohet karshi gjinisë femërore, në atë mënyrë. Dhe nëse është bajzë, mëson ta tolerojë.