Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot publikoi rezultatin e Bashkisë Vorë dhe Njësisë nr.10 në qarkun e Tiranës, në të cilat u krye votimi dhe numërimi elektronik i votave. Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, në Vorë, Partia Socialiste ka fituar 8 mijë e 82 vota ose 57.09% në total. Forcë e dytë renditet Partia Demokratike-Koalicioni Shqipëria Madhështore, e cila ka marrë 4 mijë e 803 ose 33.93% në total.
Partia Socialdemokrate e Tom Doshit siguroi 330 vota ose 2.33%. Partia Mundësia e Agron Shehajt fitoi 330 vota apo (2.21%). Edhe në Njësinë nr.10 në kryeqytet, forcë e parë doli Partia Socialiste.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, Partia Socialiste mori 5304 vota ose 49.03% ndërsa Partia Demokratike me koalicionin që drejton, 3 mijë e 498 apo 32.34%. Partia e tretë më e votuar është Mundësia, me 694 vota ose 6.42 e shprehur në përqindje.