Rajoni

Punonjësja e OSBE-së spiune në Kosovë, prokuroria: I dha Serbisë të dhëna sensitive!

Serbja Jelena Gjukanoviç, punonjëse e OSBE-së doli sot para gjykatës së Prishtinës, nën dyshimet për spiunazh në bashkëpunim me një tjetër person, për llogari të Inteligjencës serbe.

Prokuroria dyshon se gruaja ka pasur qasje në informacione dhe takime të nivelit të lartë me përfaqësues vendorë e të huaj veçanërisht në veri të Kosovës dhe i ka dhënë informacione sensitive Beogradit.

Në dosje janë zbuluar komunikime që prokuroria i cilëson si mesazhe të koduara, ku përmendet një “falënderim për punën në Kosovë”, i interpretuar si referencë ndaj veprimtarisë së lidhur me strukturat e inteligjencës serbe.

Prokuroria thotë se mesazhet dhe dokumentet e administruara po trajtohen si pjesë e provave për spiunazh, por mbrojtja i ka kundërshtuar këto pretendime.

LEXO EDHE: Gjyqi për Hashim Thaçin dhe 4 ish-krerët e UÇK-së në Hagë, seanca shtyhet më 14 prill!

Ajo akuzohet se ka marrë udhëzime nga i dënuari për spiunazh Aleksandar Vlajiç.

“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë J.GJ. nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë, ka njoftuar Prokuroria Speciale.

Sipas provave të siguruara gjatë hetmeve, dyshohet se Gjukanoviç ia ka transmetuar informacionet e siguruara zyrtarëve të lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit dhe L.B.

Me L.B. dyshohet se është takuar në Beograd.

“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë. Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.