Pushimet e këngëtares së njohur amerikane Pink kanë marrë një kthesë të papritur pas një problemi shëndetësor.
Artistja 45-vjeçare zbuloi përmes rrjeteve sociale se është prekur nga një infeksion me bakterin “Escherichia coli (E.coli)”, i cili zakonisht lidhet me ushqim të kontaminuar ose ujë të patrajtuar.
Pink publikoi një foto në Instagram ku shihet e ulur në një divan, e veshur thjesht dhe me një tub intravenoz në krah.
Ajo sqaroi se infeksioni i ka prishur pushimet e shumëpritura, por theksoi se po merr trajtim me vitamina intravenoze dhe se gjendja e saj nuk paraqet rrezik serioz.
Pushimet e mia morën një kthesë të papritur. Po marr vitaminat nëpërmjet serumit për t’u rikuperuar më shpejt. Nuk është asgjë e rëndë, thjesht një pengesë e vogël
-shkroi ajo me humor, duke krahasuar imazhin e serumit me një gotë verë të kuqe.
Infeksionet me “E.coli” janë të zakonshme dhe shpesh shkaktojnë diarre, dhimbje barku dhe ethe.
Ato transmetohen kryesisht përmes mishit të pagatuar mirë, perimeve të lara keq ose ujit të ndotur.
Në raste më të rralla, mund të çojnë në komplikacione serioze, sidomos nëse nuk trajtohen në kohë.
Nuk është hera e parë që këngëtarja përballet me probleme shëndetësore. Në vitin 2024, Pink u detyrua të ndërpriste një pjesë të turneut të saj “Trustfall” pas këshillave mjekësore.
Megjithatë, ajo është e njohur për qëndrimin pozitiv dhe komunikimin e hapur me fansat për çdo sfidë shëndetësore që ka kaluar.
Këtë herë, artistja siguroi ndjekësit e saj se është në rrugën e duhur drejt shërimit dhe se ky episod nuk do ta pengojë gjatë të rikthehet në aktivitetet e saj artistike.