Me qeverinë që trefishoi fondin për shpërblimin e fundvitit, pritet që të përdoret e njëjta formulë si gjatë vitit të kaluar sa i përket shpërndarjes.
Kështu, nga 15 mijë lekë shpërblim do të përfitojnë mbi 515 mijë individë që marrin pension deri në 20 mijë lekë.
Pjesa tjetër, që marrin më shumë se 20 mijë lekë do të përfitojnë 10 mijë lekë shtesë.
Në rishikimin e Buxhetit 2025, qeveria ka parashikuar që këtë fundvit, pensionistët të kenë një buxhet më të madh të dedikuar nga qeveria sa i përket bonusit të përvitshëm.
Ky buxhet eshte 5.9 miliardë lekë. Bonusi i fundvitit do të shpërndahen për rreth 756 mijë pensionistë në muajin dhjetor.
Ministri i Financave, Petrit Malaj sot ishte i pranishëm në Komisionin e Ligjeve për të prezantuar Aktin Normativ për rishikimin e tretë të Buxhetit të Shtetit për këtë vit e tha se do të jepen 97 milion euro për shpërblimin e pensionistëve.
Ministri u pyet nga deputetët në lidhje me rritjen e pensioneve përtej shpërblimeve e deklaroi se ende po punohet.
Deri në fund të mandatit, pensioni minimal do të jetë 200 euro dhe ai mesatar 400 euro. Jemi duke punuar me Ministrinë e Ekonomisë për rritjen e pensioneve dhe besoj se përgjigjet do t’i merrni në buxhetin e vitit 2026, u shpreh ministri Malaj.