Botë e Çuditshme

Fiton tri çmime të mëdha lotarie, gjithmonë në mes të muajit prill…

Një grua nga Maryland, e cila fitoi një çmim lotarie prej 50 mijë dollarësh, tha se në fakt ka fituar çmime të mëdha edhe dy herë të tjera më parë dhe të gjitha kanë ndodhur në mesin e muajit prill. Gruaja nga Owings Mills i tha zyrtarëve të Lotarisë së Marylandit se ajo bleu biletën gërvishtëse “Money Bags” në Howard’s Pub & Deli në Qarkun Baltimore dhe u entuziazmua kur zbuloi se kishte fituar 50 mijë dollarë.

“Blej shpesh bileta gërvishtëse dhe zakonisht më ecën mirë. Ndërsa po vinim këtu sot, po mendoja për dy fitoret e mia më të mëdha dhe kuptova që të dyja kanë ndodhur në prill! Tani edhe e treta. Është e pabesueshme”-tha ajo. Fatlumja tha se çmimet e saj janë rritur sa herë që ka fituar. “Fitova një çmim prej 10 mijë dollarësh para pesë vitesh dhe pastaj 20 mijë dollarë para dy vitesh,”-tregoi ajo. “Nuk po e besoja atë që po shihja. Vetëm qëndrova dhe e shikoja. S’mund të prisja të shkoja në shtëpi për t’ia treguar familjes”.-shtoi fatlumja.

Ndërkaq, një grua nga Pensilvania po e kërkon me çdo kusht një xhaketë të cilën e dhuroi për bamirësi, pasi e kuptoi se kishte lënë në xhep një biletë lotarie që do t’i sillte 2.5 milionë dollarë. Mildred Simoneriluto, 76 vjeçe, tha se bleu një biletë për një lotarie në dyqanin Shop ‘n Save në Murrysville në maj 2024 dhe dy javë më vonë u befasua kur mësoi se kishte të pesë numrat fitues: 14-22-33-35-38. Simoneriluto u përpoq të gjente biletën, por kuptoi se e kishte lënë në xhepin e një xhakete që ua dhuroi veteranëve amerikanë që luftuan në Vietnam. “Isha e shtangur, nuk kam fjalë për këtë, nuk ka asnjë shprehje. Si mund ta kthej atë”-tha Simoneriluto.