Aktualitet Politikë

Rama: 500 mijë veta të dalin në protestë, s’mjaftojnë për të ndalur projektin!

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorë të Zvërnecit, për të folur për resortin luksoz që është planifikuar të ndërtohet atje.

Në mesin e të pranishmëve në takim,kishte dhe nga ata që shprehën pa rezerva dakordësinë e tyre për realizimin e investimit.

“Nuk ka asnjë që të thotë që nuk jemi dakord të mos bëhet ky investim. Investimet që pasojnë njëri-tjetrin janë shumë të mira, si aeroporti p.sh., edhe ky lloj biznesi që është shumë i fuqishëm është shumë i mirë. Por u desh një shpjegim juridik, që u bë me bashkinë, njerëzit u sqaruan”,- tha një banor.

Shefi i ekzekutivit u theksoi banorëve se fjalën e fundit përsa i përket pretendimeve mbi pronësinë, e ka gjykata. Për protestat që zhvillohen në Tiranë, Rama tha se edhe sikur 500 mijë persona të dalin në protestë, ndërtimi i resortit nuk do anulohet, dhe si rrjedhojë i dha një përgjigje edhe thirrjeve për dorëheqjen e qeverisë.

“Jo 5 mijë veta, po 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, sepse janë 800 e kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS”,- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama teksa po diskutonte me një prej banorëve të Zvërnecit, që pretendon se është pronar në tokën ku do të ndërtohet resorti turistik, kishte një koment edhe për protestuesit që kundërshtojnë projektin.

Rama tha se ‘protestuesit kanë dalë t’ju mbrojnë juve nga unë’, teksa nga ana tjetër, qytetari tha se i mbështeste investimet në turizëm dhe zhvillimin e vendit.

“Në Tivat, të gjithë ata që takova unë atje, të gjithë punëtorët, ishin malazez. Ka lezet, marrin rrogën tamam. Marrin sigurime shoqërore. Tha një djalë atje ‘ku të shkoj unë? Pse të iki në Dubai apo Abu Dhabi të punoj kamarier?’ ‘Unë këtu e kam pagën fiks dhe jam në shtëpinë time’ më tha. Pastaj ai nuk është një investim thjeshtë hajde se do bëjmë shtëpi e vila e do mbyllemi. Ai program ka spital, ka shkollë turizmi, ka plotë e plotë gjëra të tjera. Tani kur të dalin të thonë anuloje një gjë që nuk është bërë akoma, t’i s’ke më çfarë bën pastaj. Do të dëgjoni lloj lloj çudirash. Këtu është mbushur bulevardi me njerëz që kërkojnë t’ju mbrojnë juve nga unë. Ti s’ke dalë, sepse ti je njeri normal, që thua kjo është prona ime dhe unë do e fitoj me gjykatë. Ata atje kanë dalë të flasin me emrin tënd, kupton ti tani”, tha Rama.

“Nuk jam kundër turizmit dhë zhvillimit. Duke qenë se kam punuar 20 vite mësues, pastaj e ndërrova komplet sistemin e punës edhe kalova kalorës, bëj disa shëtitje me kuaj. Ka të bëjë me turizmin. Vështirësinë e nisa te tokat e tim gjyshi. Ishte pak e vështirë. Vajta pak në Zvërnec, te Geroni aty afër. Tani jam diku më lart, te Qafa e Topit. Në të tre vendet që kam qenë, problemi i vetëm ka qenë prona. 30 vite toka e pamenaxhuar. 30 vite toka e pamenaxhuar. Si mund të zhvillohet turizmi rretheqark gjithë Vlorës?”, tha qytetari Gentian Moçka.