Kryeministri Edi Rama tha se Bordi i Transparencës nuk vendos arbitrarisht e as e ul çmimin e naftës, duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit. Por, thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e nuk u lejon operatorëve të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve.
Në podcast-in “Flasim”, Rama deklaroi se detyra e kësaj strukture është “të përcaktojë çmimet tavan e pamundësimin e abuzimit me situatën, në dëm të konsumatorit”.
Sipas të dhënave të Bursës së Mesdheut, në ditët e fundit pati një ulje të çmimeve të nënprodukteve kryesore të naftës e në përputhje me këtë zhvillim, Bordi i Transparencës reflektoi menjëherë edhe uljen e çmimit në vend, duke bërë atë që ka detyrë të bëjë: përcaktimin e çmimeve tavan dhe pamundësimin e abuzimit me situatën, në dëm të konsumatorit.
E rëndësishme të kuptohet se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas.
Kjo do të thotë që, në varësi nga lëvizja e çmimit në bursë, bordi qëndron vijimësisht në anën e konsumatorëve, e drejtuesve të mjeteve, e qytetarëve dhe ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht si rezultat i lëvizjes në tregun ndërkombëtar, prej ku edhe importohet nafta në Shqipëri dhe nga ana tjetër, abuzivitetit, që në këto raste, nëse gjen shesh, bën gjithmonë përshesh.
E theksoj edhe njëherë, Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve.
Roli i tij është të sigurojë transparencë dhe nga ana tjetër, të jetë gjithmonë në vëmendje, për të mos lejuar edhe shkelje të vendimeve të tij, të cilat pastaj shoqërohen me masa të menjëhershme deri në pezullimin e aktivitetit për operatorët që nuk respektojnë rregullat.