Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Rama falenderon kancelarin Merz: Privilegj të punoj me ju!

Kryeministri Edi Rama falënderoi kancelarin gjerman, Friedrich Merz për mesazhin e urimit për zgjedhjet e 11 Majit. Në mesazh, Rama theksoi se do të ishte privilegj të punonte me kancelarin gjerman.

Faleminderit shumë, kancelar dhe mezi pres t’ju takoj në Tiranë. Kam kujtime shumë pozitive nga takimi ynë i parë dhe do të jetë një privilegj të punoj me ju, për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, për të avancuar bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe për ta afruar shtëpinë tonë të përbashkët evropiane edhe më shumë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Nëpërmjet një statusi në platformën “X”, Merz siguron për bashkëpunim të mëtejshëm të Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Urime për rizgjedhjen tuaj në Shqipëri, shkruan Merz duke shtuar në gjuhën shqipe: Shumë urime! Pres me padurim vijimin e bashkëpunimit tonë dhe takimin tonë të parë në Komunitetin Politik Europian, në Tiranë, të premten.
Më herët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron uroi kryeministrin Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Shefi i Elizesë theksoi se Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Urime Edi Rama, mik i dashur, për fitoren tënde në zgjedhjet parlamentare. Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, shkroi Macron në gjuhën shqipe, në një postim në platformën X. Do të takohemi të premten në Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe për një vizitë që duhet të na lejojë të forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë, thekson më tej.

Edhe shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen uroi Ramën:

Urime për fitoren në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat drejt BE-së. Shqipëria e meriton të jetë në BE! Me padurim pres t’ju uroj personalisht nesër në Tiranë.

Më herët, kryeministrin Rama e kanë uruar shumë liderë, mes tyre kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kreu i Këshillit Europian, Antonio Costa.