Kancelari gjerman, Friedrich Merz uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Nëpërmjet një statusi në platformën “X”, Merz siguron për bashkëpunim të mëtejshëm të Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Urime për rizgjedhjen tuaj në Shqipëri, shkruan Merz duke shtuar në gjuhën shqipe: Shumë urime! Pres me padurim vijimin e bashkëpunimit tonë dhe takimin tonë të parë në Komunitetin Politik Europian, në Tiranë, të premten.
Më herët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron uroi kryeministrin Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Shefi i Elizesë theksoi se Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Urime Edi Rama, mik i dashur, për fitoren tënde në zgjedhjet parlamentare. Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, shkroi Macron në gjuhën shqipe, në një postim në platformën X. Do të takohemi të premten në Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe për një vizitë që duhet të na lejojë të forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë, thekson më tej.
Edhe shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen uroi Ramën:
Urime për fitoren në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat drejt BE-së. Shqipëria e meriton të jetë në BE! Me padurim pres t’ju uroj personalisht nesër në Tiranë.
Më herët, kryeministrin Rama e kanë uruar shumë liderë, mes tyre kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kreu i Këshillit Europian, Antonio Costa.