Kryeministri Edi Rama në takimin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Në përshëndetjen përpara nisjes së takimit, të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Rama iu uroi Ditën e Alfabetit.
Së pari, dëshiroj që në gjuhën shqipe t’u uroj të gjithë shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut ditën bekuar të Alfabetit!
Po ashtu vuri në dukje se takimi i liderëve ballkanikë me Stoltenbergun, mbahet në një kohë krizash e luftërash, që siç u shpreh “kanë mundësi ta rrezikojnë edhe rajonin ballkanik”.
Më vjen shumë mirë që sot mblidhemi këtu, në këtë moment jo të lehtë për të gjithë, një moment luftërash dhe krizash të rënda, që kanë potencialin të rrezikojnë drejtpërdrejtë edhe anën tonë, një moment kur këtu në rajon të gjithë duhet të fokusohemi tek mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur, që është jo pak, një paqe e brishtë e përgjithshme, po sidoqoftë një paqe dhe të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare e të qëndrueshme.
Aleancës Veri-Atlantike, shefi i qeverisë i bëri thirrje të garantojë kufijtë mes Kosovës e Serbisë, si dhe kërkoi bashkëfinancim me të, për ndërtimin e bazës së re detare të NATO-s në Porto Romano.
Theksova domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës e Serbisë, që faktikisht është jashtë kontrollit dhe është në shërbim të trafikut të armëve, drogës e aktiviteteve, të cilat pastaj ngatërrohen me aktivitetin politik me sfond ultranacionalist që shkakton devijime të rënda si devijimi në Banjskë.
Theksova edhe kërkesën për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano, që të procedohet sa më shpejt.
Shefi i qeverisë gjithashtu nënvizoi:
Me buxhetin e vitit 2024, Shqipëria ka përmbushur edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2%, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare dhe ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar e shumë të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona për të rritur eficiencën e Forcave tona të Armatosura dhe njëkohësisht mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s, një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta.
Sot në Shkup, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg takoi liderët e shteteve anëtare të Aleancës Ushtarake nga Ballkani, për të biseduar lidhur me sigurinë e rajonit e të tjera çështje. Krahas Ramës, në takimin joformal ishin presidenti i Kroacisë, Zoran Milovanoviç e kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç. Më herët, Stoltenberg theksoi:
Ne do të diskutojmë për sigurinë rajonale me liderët, por edhe të adresojmë sfidat me të cilat përballemi në këtë rajon, shohim më shumë gara globale, luftën në Ukrainë që vazhdon, por edhe luftën e re.
Takimi i Stoltenbergut me liderët e Ballkanit në Shkup, erdhi pas turit të tij në vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, ku qëndroi në fillimjavë dhe u takua me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin e vendit, Albin Kurti.