Kryeministri Edi Rama sot e zhvendosi fushatën në Librazhd, ku paraqiti platformën e PS-së për mandatin e katërt, më 11 Maj. Rama paraqiti shifrat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto, borxhin publik, kreditë e këqija, përqindjen e popullsisë në rrezik për varfëri, tregun e punës, rritjen e pagave, pensionet, bonusin e bebes, etj, si u gjetën më 2013-ën, transformimin e tyre deri më 2025-ën e si do të ndryshojnë me Shqipërinë e 2030-ës.
Sa prodhon një vend? Prodhimi kur morëm detyrën ishte nën 10 miliardë euro i gjithi. Sot është mbi 25 miliardë euro dhe në Shqipërinë 2030 do shkojë mbi 35 miliardë euro. Për këtë na u desh vetëm një dekadë. E gjetëm vendin me 3300 euro për frymë në vit, sot jemi në 10,324 euro e do shkojmë në 15 mijë euro në Shqipërinë 2030.
Gjetëm një situatë me shumë borxhe. Kur shqiptarët u bënë bashkë për të nxjerrë jashtë bufin e kënetën nga zyrat e shtetit, e kapën Shqipërinë në momentin e fundit në buzë të humnerës dhe e tërhoqën duke e shpëtuar nga një tjetër kolaps si ai i piramidave. Borxhi ka qenë 70% zyrtarisht, por shumë më i lartë në fakt me gjithë borxhin e fshehur, sot e kemi ulur në 54% që është brenda normës dhe do të thotë se ekonomia e financat janë mbi themele të sigurta.
Kur morëm detyrën, çereku i kredive në banka ishin të këqija. Bankat kishin dhënë kredi dhe klientët nuk i paguanin dot. Sot jemi në 4%, që është norma normale e çdo vendi.
Përqindja e popullsisë në rrezik për varfëri ka qenë shumë më lartë e më 2017-ën e zbritëm në 23% dhe sot jemi në 19%, që jemi në një mesatare të shumë vendeve në rajon e BE.
Teksa u ndal te tregu i punës dhe transformimi i tij gjatë qeverisjes “Rama”, kryeministri premtoi rritje të pagave mesatare e minimale gjatë mandatit të tij të katërt. Ndër të tjera premtoi se sistemi i dhënies së bonusit të bebes do të ndryshojë duke filluar nga viti 2026.
Kemi pasur një papunësi 17.5%, sot jemi në 8.8%. Rritja e pagave: Sot e kemi 400 euro. Në janar të 2026-ës do të shkojë 500 euro paga minimale dhe brenda mandatit të katërt do të jetë 650 euro minimalja të paktën. Paga mesatare 848 euro sektori publik me sektorin privat. Sektori publik pagë mesatare 1000 euro. Paga e mjekëve do të shkojë në 2000 euro më 2030-ën.
Bonusi i bebes, duke filluar nga viti i ardhshëm do të ndryshojë sistemi, duke mos e dhënë më çekun direkt në maternitet, por do ta japim çdo muaj për fëmijën e porsalindur një mbështetje për nënën.