Zyrtarisht, kryeministri Edi Rama vuri në dijeni Presidentin e Republikës, Bajram Begaj për vakancat në disa bashki të vendit, ku sipas ligjit pritet të ketë votime të pjesshme për zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Kështu, shefi i qeverisë dërgoi në Presidencë vakancat për bashkitë e Tiranës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut, Matit dhe Vlorës.
Kryetarët e disa prej këtyre bashkive lanë vendet bosh para 11 majit, për të kandiduar për deputetë, ndërsa kryebashkiaku i Vlorës dha dorëheqjen vetëm pak javë më parë. Situata më e ndërlikuar paraqitet me Bashkinë Tiranë, ku Erion Veliaj, kryebashkiaku i shkarkuar tashmë nga Këshilli Bashkiak dhe më vendim të qeverisë ka ankimuar në Kushtetuese vendimin, gjë që mund të mbajë peng edhe zhvillimin e zgjedhjeve të pjessshme.
Në paraburgim prej 10 shtatorit, Veliaj paraqiti ankesë në Kushtetuese. Nga gjykata kërkon që vendimi i shkarkimit, të rrëzohet. Pas shortit të hedhur në Kushtetuese, relatore u zgjodh gjyqtarja Sonila Bejtja. Veliaj pretendon se qeveria Rama shkeli Kushtetutën, duke mos marrë parasysh nenin 115, që ka karakter kufizues ndaj pushtetit qendror. Ky është neni që mbron mandatin e të zgjedhurve vendorë nga ndërhyrje të njëanshme. Ndërkaq, Presidenca konfirmoi se nuk është njohur me vendimin e qeverisë, nuk iu komunikua vakanca.
Ditë më parë, qeveria ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me vendimin e 25 shtatorit për të shkarkuar Erion Veliajn nga kreu i Bashkisë Tiranë. Në këtë institucion, shkresa u depozitua po më 25 shtator, por u bë publike dje, pak pasi Veliaj ankimoi shkarkimin në Kushtetuese.
Krahas dosjes për në Kushtetuese, dje avokatët e Veliajt duhej të përballeshin me Gjykatën e Posaçme, në seancën paraprake për dosjen hetimore me akuzat e SPAK-ut. Por ajo seancë u shty për më 10 tetor, datë kur duhet vendosur për kalimin apo jo për gjykim të dosjes me 13 akuza për Veliajn e 12 për bashkëshorten, Ajola Xoxa. Ato janë ngritur për korrupsion pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre e falsifikim pasurie.