Aktualitet Politikë

Rama: Nuk e shkel vijën e kuqe as për Ballukun, është çështje e drejtësisë!

Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryesocialisti Edi Rama tha se nuk ka ndërmend të shkelë vijën e kuqe në raport me drejtësinë, as për rastin e ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku. Rama deklaroi se nuk ka ndërmend ta shpallë Ballukun të pafajshme, pasi kjo është çështje e drejtësisë, është apo jo dakord me SPAK-un e GJKKO-në për rastin  Balluku.

Si kryeministër, ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që s’e kanë idenë e kësaj detyre, se kam as të mundur, por as të lejuar, qoftë nga ligji dhe nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori.

Nuk kam ndërmend t’ju them juve që e njihni më mirë se tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht t’i dalë e vetja.

Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe, të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të Reformës në Drejtësi e që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia.

Më herët, në fillim të fjalës së tij pas prezantimit të raportit të PS-së mbi kërkesën e SPAK-ut lidhur me arrestimin e Belinda Ballukut, Rama kujtoi se nuk është akuzuar as për vjedhje e as për korrupsion. Ndërkaq, e quajti “turravrap të pakuptueshëm” pezullimin e saj, që e cilësoi “masë absurde” pasi pezulloi funksionin.

Ndaj saj është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar, jo për vjedhje, jo për korrupsion e gjësendi tjetër të lidhur me një skenë krimi ose flagrancë, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer veprën penale pabarazi në tenderë publike 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori.

Mbi këtë fakt krejt të pahetuar asokohe, por si rëndom servirur më parë përmes korrierësh që hyjnë e dalin te kuzhina e Stacionit të Trenit si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit publik e mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap të pakuptueshëm nga prokurori dhe gjykatësi i seancës pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar.

Një masë absurde që siç e kemi shpjeguar, pezulloi funksionin dhe jo personin, prandaj s’ka ndodhur në botë asnjë budallallëk i kësaj natyre. Pa pritur fare përfundimin e procesit për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e ekzekutivit, sapo gjykata pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte çështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë: kërkesa që diskutojmë sot.

E diskutojmë me të drejtën që na jep Kushtetuta për të rrëzuar ose jo arrestin e një deputeti.