Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presdienti serb, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takime me udhëheqësit evropianë këtë të enjte.
Ende nuk ka asnjë deklaratë apo informacion nga çfarë është arritur si rezultat i bisedimeve, por kryeministri Edi Rama thotë se është arritur një marrëveshje. Sipas tij, Kurti ka pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për të vijuar negociatat drejt një zgjidhjeje.
Deklarata e plotë:
E përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të avancuar me vendosmëri drejt zgjidhjes zhbllokuese të Asociacionit përmes instrumenteve të vetë-menaxhimit si kornizë për negociatat e ardhshme. Ky është me të vërtetë një moment historik i rëndësishëm. Liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të demonstrojnë lidership dhe të punojnë ngushtë me partnerët tanë perëndimorë për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Themelore për normalizimin e marrëdhënieve, pa vonesa të mëtejshme. Rajoni ynë meriton paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin për një të ardhme të përbashkët, më të mirë, në vend të konflikteve, lojërave të fajësimit dhe pengesave që na dëmtojnë të gjithëve.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Sërbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan ditën e sotme në Bruksel (26 tetor), ndërsa ende nuk ka informacione në lidhje me atë që është dakordësuar ndërmjet takimit të tyre. As Kurti, as Vuçiç nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve. Në lidhje me mundësinë e ndonjë takimi tjetër gjatë ditës, burime të BE-së thanë se “asgjë nuk përjashtohet”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
Ideja është që këto takime të zhvillohen brenda kornizave të samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut, tha Stano.
Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve. Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.