Aktualitet Politikë

Rama pret von der Leyenin: Negociatat po ecin me shpejtësi!

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe plani i rritjes ishin në qendër të bisedimeve mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e cila nisi nga Tirana, një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, shefi i qeverisë ripërsëriti qëndrimin se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Unionin europian është duke ecur përpara me shpejtësi.

Me presidenten patëm një bashkëbisedim që preku të gjitha temat e interesit të përbashkët dhe natyrisht që për ne, mbetet një moment shumë i rëndësishëm e që vlerësojmë shumë faktin që presidentja dhe KE i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe i japin një vëmendje procesit të përafrimit të vendeve tona me BE-në.

Kemi folur për ecurinë e negociatave të Shqipërisë në BE, një proces që në këndvështrimin tonë, por edhe sa dëgjova nga presidentja është duke ecur me shpejtësi. Folëm edhe për planin e ri të rritjes që BE, KE nën udhëheqjen e Von der Leyen i ka vënë në dispozicion çdo vendi të rajonit tonë, tha Rama.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria ka ecur me shpejtësi rekord drejt integrimit europian dhe gjithashtu shtoi se do të mbështesë vendin tonë për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.

Shqipëria është në rrugën e duhur për integrimin në Bashkimin Europian. Dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm, shpejtësi rekord. Qëllimi juaj është të mbyllni negociatat në vitin 2027 dhe ne do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge.

Momenti gjeopolitik është tani. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo vend europian duhet të zgjedhë vendin e tij. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft të qartë.

Më herët, shefja e bllokut europian bëri të ditur në Bruksel se dëshiron ta ritheksojë mbështetjen për integrimin e rajonit në BE, si dhe pranimin e tij gradual në tregun e përbashkët të bllokut.

Gjatë vizitës, von der Leyen do të diskutojë Planin e Rritjes të BE-së për rajonin e Ballkanit për periudhën 2024-2027. Pas Tiranës, zyrtarja e lartë do të udhëtojë në Malin e Zi ku do të marrë pjesë në disa konferenca lidhur me investimet në rajon.

Më pas do të udhëtojë në Bosnjë-Hercegovinë. Të mërkurën, vizitën e nis në Serbi, e vazhdon në Kosovë dhe e përfundon në Maqedoninë e Veriut. Sipas axhendës së publikuar nga Komisioni Europian, pritet të takohet në Kosovë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.