Kryeministri Edi Rama njofton se deri nesër do të çlirohen rreth 20 mijë metra katrorë hapësira publike në Tiranë dhe puna do të vijojë në qytete të tjera, bregdet e zona të mbrojtura. Rama thekson se fenomeni i ndërtimit të paligjshëm do të trajtohet me masa të forta dhe çlirimi i hapësirave publike do të vazhdojë pa ndërprerje për t‘i rikthyer për qytetarët e për të mbrojtur mjedisin.

Në një postim në FB, Rama shkruan edhe se për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit.
“Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik”.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo…
Ndërkohë po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas.
Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit.
Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik.