Aktualitet Politikë

Rama: Tirana, epiqendër e politikës europiane më 16 maj!

Tirana do të presë liderët europianë më 16 maj. Këtë moment, kryeministri Edi Rama e cilësoi “historik” ndërsa shtoi se më 16 maj do të ndërtohet “Shtëpia e Europës” në një hapësirë të gjelbër pranë monumentit të Skënderbeut, në kopshtin e Skënderbeut, ku liderë të rëndësishëm të kontinentit do të mblidhen për të diskutuar çështje të ndryshme politike dhe ekonomike.

Kryeministri Rama njoftoi se në këtë ngjarje do të marrin pjesë udhëheqës nga shtetet më të rëndësishme të Europës, si Londra, Ankaraja, Stokholmi, Athina, Kievi, Madridi e Lisbona. Rama theksoi se kjo ngjarje do të shërbejë si një mundësi për të diskutuar lidhur me çështje të mëdha për të ardhmen e Europës.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë ngjarje si një mundësi të jashtëzakonshme për të promovuar Shqipërinë si një destinacion tërheqës dhe për të forcuar pozitat e vendit në arenën ndërkombëtare.

Shqipëria do të jetë në mendjen e gjithë botës. Do të jetë një promovim fantastik i vendit tonë, një moment i rritjes së kuotave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe një forcim i imazhit të Shqipërisë si një aktor i rëndësishëm në politikën globale.

Në lidhje me temat që pritet të diskutohen, kryeministri përmendi çështje të rëndësishme për të ardhmen e Europës.  Ai tha se do të shqyrtohen aspekte të sigurisë, rritjes ekonomike, luftës kundër pabarazisë dhe mënyrave për të zbutur kostot gjithnjë e në rritje të jetesës.

Kjo është një mundësi për Europën që të japë përgjigje për disa nga pyetjet më të rëndësishme të kohës sonë.

Një moment tjetër historik në këtë ngjarje është pjesëmarrja e kancelarit të ri të Gjermanisë, i cili do të marrë pjesë për herë të parë në një format multilateral. Rama theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke e cilësuar “mundësi për të avancuar politikat europiane dhe ndërkombëtare”.

Kryeministri Rama përfundoi duke theksuar se “Tirana do të shndërrohet në epiqendrën e vëmendjes globale, ku Shqipëria do të promovojë imazhin e saj si një vend dinamik e të angazhuar në zhvillimin e politikave europiane dhe ndërkombëtare”.

Ky takim do të jetë një mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë të rrisë dinjitetin e flamurit kombëtar dhe të pozicionohet në mënyrë të fuqishme në arenën ndërkombëtare.