Klodian Braho në krye të SPAK, reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”.
Më herët, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato ka përgëzuar prokurorin duke thënë se SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
LEXO EDHE: Gara për drejtimin e SPAK, Braho: Kam konfiskuar një shumë prej 18.4 MILIONË euro…
“Kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetjen tonë për KLP, por edhe për të treguar interes në procedurën e emërimit. SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE. Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z.Braho dhe që mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, u shpreh Gonzato.
LEXO EDHE: Me 77 vota pro, mazhoranca rrëzon kërkesën e opozitës, Avokati i Popullit zgjidhet sot!
Braho, në krye të seksionit kundër Korrupsionit në SPAK, ka drejtuar shumë çështje hetimore me rëndësi. Partnerët ndërkombëtarë kanë monitoruar nga afër procesin e zgjedhjes. Më 19 dhjetor i mbaron mandati i Dumanit dhe ia dorëzon detyrën Klodian Brahos. Gjatë votimit Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj 1 votë, Braho 7 vota.