Bota

Rasti “Andrew”, monarkia britanike në situatë me shumë të panjohura!

I dyshuar për përfshirje në çështjen Epstein, ish-princi Andrew po e detyron familjen mbretërore britanike të përballet me një krizë të konsideruar veçanërisht të rrezikshme e të paprecedentë, referuar ekspertëve të monarkisë. Vëllai më i vogël i Çarls-it III u lirua të enjten vonë “në pritje të hetimeve të mëtejshme”.

Andrew, arrestimi i të cilit përkoi me ditëlindjen e 66-të, u mor në pyetje për gati 12 orë me akuzën e “shkeljes së detyrës zyrtare”, i akuzuar për dhënien e informacionit konfidencial ish-financierit amerikan, i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, i vetëvrarë në burg.

Pas ndalimit, i turpëruar, Andrew u fotografua duke dalë nga stacioni i policisë që ndodhet rreth 30 kilometra larg rezidencës së tij të re, në Sandringham.

Imazhi dramatik që e tregonte të rraskapitur e me sy të hapur, në pjesën e pasme të një makine, u kthye në lajmin kryesor në të gjitha gazetat britanike, me përjashtim të “Financial Times”.

Ky arrestim shënoi “ditën më dëmtuese për monarkinë”, theksoi “Telegraph”, ndërsa “Daily Mail” foli për një “monarki moderne që përballet me rrezikun e saj më të madh”.

Fundi i “nderimit” 

Për ekspertin mbretëror Ed Owens, situata me të cilën përballet monarkia është edhe më e rrezikshme pasi përfshin “shumë të panjohura”.

Këto përfshijnë pasigurinë rreth një padie të mundshme ndaj Andrew-t e dyshimet për sulm seksual që e rrethojnë, por që deri më tani kanë mbetur jashtë fushëveprimit të çdo hetimi formal.

Referuar krizave të mëparshme që kanë tronditur monarkinë në dekadat e fundit, vdekja e princeshës Diana në vitin 1997 dhe abdikimi i Edward VIII më 1936-ën vuri në dukje se u deshën “më shumë se 10 vjet për të stabilizuar institucionin dhe për të rifituar dashurinë e besnikërinë e publikut”.

Ish-princi akuzohet se i ka kaluar informacione konfidenciale Epstein-it, duke përfshirë raportet e udhëtimeve në Azi dhe mundësitë e investimit në Afganistan, kur ishte i Dërguar Special i Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë në vitet 2001-2011.

Në një deklaratë të rrallë pas arrestimit, Mbreti Çarls III tha të enjten se “drejtësia duhet të vendoset”, ndërsa shprehu “shqetësim të thellë”.

Në tetor, monarku i hoqi vëllait më të vogël të gjithë titujt mbretërorë, pas informacioneve të reja rreth lidhjeve të Andrew-t me Epstein-in. Por, shmangu prishjen e agjendës së tij, duke marrë pjesë në një shfaqje të Javës së Modës në Londër, siç ishte planifikuar.

Roya Nikkhah, eksperte mbretërore për “Sunday Times”, tha se familja mbretërore do të përpiqet të “vazhdojë si zakonisht”, por “besimi në institucion ka të ngjarë të shkatërrohet seriozisht” nga ky arrestim i paprecedentë, më i madhi që nga shekulli XVII.

Epoka e respektit që mbizotëronte gjatë mbretërimit të Elizabetës ka mbaruar dhe kjo është sfidë e madhe për Çarlsin, pasi publiku nuk ka më të njëjtën dashuri për institucionin që ishte me në krye monarken e ndjerë.

Një i dyshuar tjetër 

Duke nxitur ndjenjën se familja mbretërore nuk është më mbi ligjin, media britanike theksoi se mbreti nuk ishte informuar paraprakisht për arrestimin e vëllait.

Tabloidi “The Sun” vuri në dukje se si çdo i dyshuar, Andrew duhej t’i nënshtrohej një testi të pështymës për ADN-në, gjurmëve të gishtërinjve e të fotografohej.

Donald Trump e quajti arrestimin e ish-dukës së Jorkut “shumë të trishtueshëm” e “shumë të keq për familjen mbretërore”.

Arrestimi nxori në pah edhe kontrastin me Shtetet e Bashkuara, ku deri më tani, pasojat e aferës së përhapur të Jeffrey Epstein-it kanë mbetur të kufizuara. Vetëm ish-partnerja dhe bashkëpunëtorja Ghislaine Maxwell është dënuar për lidhjet me abuzuesin seksual.

Policia britanike tha se po shqyrton dokumentet e përfshira në grupin e fundit të dosjeve Epstein, të publikuara më 30 janar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve. Akuza të reja kundër ish-princit dolën nga këto dosje, që ai refuzoi të komentonte.

Policia po “vlerëson” informacionin se një grua dyshohet se u dërgua nga Jeffrey Epstein në Royal Lodge në vitin 2010, me gjasa, për të kryer marrëdhënie seksuale me Andrew-n. Por, kjo akuzë nuk u përmend të enjten dhe nuk është e qartë nëse Andrew u mor në pyetje mbi këtë temë.