I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” në Top Albania Radio me Ilvi Begollin ka qenë Prof. Dr. Arvin Dibra, Shef i Kirurgjisë në QSUT. Në këtë episod është diskutuar në lidhje me kirurgjinë bariartrike, çfarë është dhe çfarë duhet të dinë pacientët që vuajnë nga obeziteti në lidhje me ndërhyrjet dhe operacionet e stomakut për të reduktuar peshën e tyre.
Kirurgjia bariartrike përmbledh termin e të gjitha llojeve të ndërhyrjeve apo tentativave që janë bërë në këto 30 vitet e fundit me qëllim që të ndihmohen pacientët që vuajnë nga obeziteti morbid, nga një mbipeshë, e cila fillon dhe ndikon në metabolizmin e pacientit dhe për pasojë ka nevojë që të korrigjohet dhe kur nuk i dilet me metoda të tjera si dietat apo terapitë fizike, medikamentoze. Atëherë në njëfarë mënyre është e nevojshme që të trajtohemi dhe të mendojmë edhe për kirurgjinë dhe alternativat e ndryshme të saja.
Kur merret vendimi që një pacient duhet që t’i nënshtrohet një krirugjie të tillë?
Le të themi që një BMI mbi 30 fillon dhe të bëhet pak problem dhe veçanërisht konsiderohet për kirurgji kur obeziteti ka filluar të ndikojë në cilësinë e jetës dhe cilësinë e funksionit të sistemeve të ndryshme të organizmit të pacionetëve. Tek sistemi kardiovaskular, sistemi endokrin, sistemi renal dhe për pasojë fillon të bëhet i nevojshëm një korrigjim në mënyrë që organizimi të mos vuajë. Kufiri ndarës është veçanërisht i pa mirëpërcaktueshëm dhe delikat.
Doktori ka theksuar gjithashtu se cili duhet të jetë mesazhi i duhur:
Mesazhi që do të duhet të jepnim është që nuk ndodh dhe nuk duhet të ndodhë që zhytemi tek kirurgjia sepse dikush është disi i shëndoshë apo sepse nuk i pëlqen vetja estetikisht. Janë disa parametra që duhet të vlerësohen, janë disa tentativa që dështojnë në rrugë të tjera pak më pak traumatike sesa kirurgjia për të mbërritur aty sa për të konsideruar kirurgjinë. Në njëfarë mënyre mjekët e parë që duhet të shohin një pacient mendon të vuajë nga obeziteti me siguri nuk janë kirurgët por janë nutricionistët, dietologët, endokrinologët dhe vetëm nëse tentativa të mirëfillta të tilla dështojnë atëherë orientimi drejt kirurgjisë mundet që të jetë potencialisht i vlefshëm.