Ajo që dikur konsiderohej tabu ose luks elitist, sot po kthehet në një zgjedhje gjithnjë e më të zakonshme për burrat. Kirurgjia kozmetike dhe trajtimet estetike po përjetojnë një rritje të fortë të pacientëve meshkuj, një fenomen që po shfaqet veçanërisht fuqishëm në Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.
Të dhënat e publikuara në Paris, gjatë kongresit global të industrisë estetike IMCAS, tregojnë një transformim të qartë. Nga viti 2018 deri në vitin 2024, numri i ndërhyrjeve kirurgjikale estetike të kryera te burrat është rritur me 95%.
Edhe më mbresëlënëse është rritja e trajtimeve jo-kirurgjikale, si injeksionet, lazeri apo peeling-u, të cilat kanë shënuar një rritje prej 116%, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Kirurgjisë Plastike Estetike (ISAPS).
Ekspertët theksojnë se ky trend pasqyron një ndryshim të thellë në mentalitetin shoqëror. Edhe pse burrat përbëjnë ende vetëm rreth 16% të të gjitha procedurave estetike në nivel global, pranimi i tyre ndaj këtyre trajtimeve po rritet ndjeshëm. Kjo analizë u prezantua në konferencën IMCAS, e cila u mbajt deri më 31 janar.
Parashikimet e tregut janë po aq domethënëse. Industria e mjekësisë kozmetike pritet të ruajë një rritje mesatare vjetore prej rreth 5% deri në vitin 2030, e nxitur nga kërkesa e lartë dhe zgjerimi i bazës së pacientëve.
Konkurrenca në këtë sektor po ashpërsohet, veçanërisht për procedurat më të kërkuara si toksina botulinike (Botox) dhe injeksionet e acidit hialuronik. Këto dy trajtime përbëjnë mbi gjysmën e tregut global të estetikës mjekësore, me një vlerë që pritet të arrijë 9.6 miliardë euro në vitin 2025.
Po hyjmë në një fazë ku procedurat kozmetike po konsumohen si produkte të zakonshme, diçka që 10 apo 15 vite më parë shihej si shumë pjesë e elitës
-u shpreh për AFP Laurent Bron nga IMCAS.
Në nivel global, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore të tregut, me rreth 45% të pjesës totale në vitin 2025. Ato dominojnë veçanërisht procedurat jo-kirurgjikale dhe segmentin e Botox-it, ku përqendrojnë 56% të kërkesës globale.
Megjithatë, ritmi i rritjes në SHBA pritet të ngadalësohet gradualisht deri në rreth 5% në vit nga 2025 deri në 2030, ndërsa rajoni Azi-Paqësor parashikohet të shënojë rritjen më të shpejtë, me rreth 7% në vit.