Lajmet e fundit

Rekord apsolut/Skeleti i Tyrannosaurus shitet në ankand për shumën marramendëse!

Një fosil i një Tyrannosaurus rex, i zbuluar në Shtetet e Bashkuara, është shitur për rreth 50.1 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Sotheby’s në Nju Jork, duke vendosur një rekord të ri si dinosauri më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë. Fosili, i pagëzuar me emrin “Gus”, është rreth 67 milionë vjeçar dhe konsiderohet një nga ekzemplarët më të kompletuar të Tyrannosaurus rex të zbuluar deri më sot. Ai është më shumë se 4 metra i lartë dhe ka rreth 60 për qind të kockave të tij të ruajtura.

T. rex u zbulua në vitin 2021 në një fermë të izoluar në Dakotën e Jugut, SHBA. Procesi i nxjerrjes dhe restaurimit të tij zgjati disa vite. Kockat u gërmuan gjatë tre sezoneve verore nga viti 2021 deri në 2023, ndërsa rindërtimi i plotë në laborator kërkoi edhe tre vite të tjera punë. Analizat e fosilit zbuluan shenja të jetës së egër të këtij grabitqari prehistorik. Kafka e tij kishte gjurmë kafshimesh, ndërsa disa brinjë të thyera kishin shenja shërimi, duke treguar se ai kishte mbijetuar përballje të ashpra, qoftë gjatë gjuetisë apo përleshjeve me dinosaurë të tjerë.

Sipas Sotheby’s, çmimi i arritur tejkaloi rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2024 nga një stegosaurus. Ky është gjithashtu fosili i parë i dinosaurit që kalon vlerën prej 50 milionë dollarësh në një ankand. Emri i blerësit fitues nuk është bërë ende publik. Ekspertët e shohin këtë shitje si një tregues të interesit në rritje të koleksionistëve shumë të pasur për fosilet e rralla, ndërsa disa shkencëtarë kanë ngritur pyetje për ndikimin që mund të ketë tregu privat mbi aksesin ndaj këtyre zbulimeve historike.