Live From Tirana

Remil Peqini: “Ka njerëz që vijnë në palestër vetëm për foto…”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë instruktori i palestrës Remil Peqini. Ai ka folur më shumë për disa mite mbi palestrën apo trupin perfekt, por jo vetëm…

Palestra e Instagramit vs. palestra e realitetit, ku e kupton ti që dikush vjen vetëm për foto Instagrami dhe kush vjen realisht?

Padiskutim që ka njerëz që vijnë në palestër thjesht për këtë pjesën e Instagramit dhe vihen re shumë kollaj kur ti shikon që ai rri gjysmë ore para pasqyrës dhe 10 minuta bën ushtrime, dhe më pas ti nuk e shikon më në palestër. Kohët e fundit ka shumë njerëz që po i kushtojnë shumë rëndësi vetes, po merren realisht me veten, jo vetëm fizikut por shëndetit mbi të gjitha. Dhe shikoj që stërviten mirë, ushqehen mirë dhe një foto në Instagram nuk është se bën keq. 

Si punon ti me këta klientë dhe për t’i hequr fokusin nga celulari?

Një seancë për palestër maksimumi mund të zgjasë deri në 40 minuta, por realisht shumica thonë që zgjat një orë e gjysmë. Kjo ndodh vetëm për shkak të telefonit. Dhe e vërteta është që kjo është shumë gabim, sepse dhe intensiteti në palestër, nuk është i duhuri që ti të marrësh efektin nga palestra.