Pas rënies së regjimit të diktatorit Bashar al-Assad dhe largimit të tij në Moskë, ambasada siriane në Moskë ka vendosur në ndërtesën e saj flamurin e forcave rebele. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve ruse Tass.
Më parë, flamuri i Republikës Arabe Siriane, një simbol i regjimit të Bashar al Asadit, u hoq nga ndërtesa e ambasadës pasi rebelët xhihadistë të opozitës morën pushtetin në vend.
Sirianët u zgjuan të hënën për një të ardhme shpresëdhënëse, por të pasigurt, pasi rebelët pushtuan kryeqytetin Damask dhe presidenti Bashar al-Assad u largua në Rusi, pas 13 viteve të luftës civile. Përparimi i rrufeshëm i një aleance milicie të kryesuar nga Hayat al-Tahrir al-Sham (HTS), një ish degë e al-Kaedës, shënoi një nga kthesat më të mëdha për Lindjen e Mesme në breza. Rënia e Asadit zhduku një bastion nga i cili Irani dhe Rusia ushtronin ndikim në të gjithë botën arabe.
Abu Mohammed al-Golani, udhëheqësi militant, kryengritja e të cilit rrëzoi nga pushteti presidentin e Sirisë Bashar Assad, ka vite që punon për të transformuar imazhin e tij publik, duke u distancuar nga lidhjet e kahershme me al-Kaedën dhe duke e paraqitur veten si një kampion të pluralizmit dhe tolerancës.
Pasi hyri në Damask pas luftëtarëve të tij fitimtarë të dielën, ai madje nuk përdori emrin e tij të luftës dhe iu referua vetes me emrin e tij të vërtetë, Ahmad al-Sharaa.
Tani do të shihet se deri ku shkon transformimi i tij nga ekstremist xhihadist në një rol të mundshëm shtetformues. Pyetja tani është se si do të qeveriset Siria, e përbërë nga shumë komunitete etnike dhe fetare, shpesh të nxitura kundër njëra-tjetrës nga shteti i al-Assadit dhe vitet e luftës. Shumë prej tyre i druhen perspektivës së marrjes së pushtetit nga ekstremistët islamikë suni.
Disa orë pas marrjes së kontrollit të Damaskut, 42-vjeçari al-Sharaa bëri paraqitjen e tij të parë në xhaminë historike Umajad të qytetit, duke e cilësuar rënien e Al-Assadit si “një fitore për kombin islamik”. Al-Sharaa, i cili konsiderohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe forca e tij kryengritëse, Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS – shumë prej luftëtarëve të së cilës janë xhihadistë – tani janë një lojtar kryesor.
Për vite të tëra, al-Sharaa punoi për të konsoliduar pushtet, i izoluar në provincën e Idlibit në pjesën veriperëndimore të Sirisë, ndërsa sundimi i al-Assadit i mbështetur nga Irani dhe Rusia në pjesën më të madhe të vendit, dukej i fortë. Ai eliminoi konkurrentët dhe ish-aleatët e organizatave ekstremiste. Ai u përpoq të zbuste imazhin e “qeverisjes së tij de-fakto të shpëtimit” në Idlib për të bërë për vete qeveritë ndërkombëtare dhe për të qetësuar pakicat fetare dhe etnike të Sirisë.
Gjatë gjithë këtij procesi, ai hoqi dorë nga petku i një militanti islamik të linjës së ashpër dhe filloi të vishte kostume në intervista, duke folur për ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe decentralizimin e pushtetit në mënyrë të tillë që të refketonte diversitetin e Sirisë.