Aktualitet Politikë

KQZ-së i duhen 10 ditë për të nisur rinumërimin në Tiranë dhe Dibër!

Vendimi i dy anëtarëve të Komisionit të Ankesave për të rinumëruar të gjitha votat e qarkut Tiranë, ka vënë në lëvizje stafin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se duhet të gjejë një vend të përshtatshëm ku të hapen 1 mijë e 282 kutitë e Tiranës, si dhe 44 të Dibrës.

Po negociohet sërish me federatat sportive për të rimarrë në përdorim Parkun Olimpik ku u numërua vota e Diasporës.  Dhjetëra punonjës do të rekrutohen për të rinumëruar Tiranën, që ka gati 450 mijë fletë votimi e që do të kontrollohen dy herë, raundi i parë për votën e partive, i dyti për atë mes kandidatëve.

Po ashtu, KQZ-së i duhet të bëjë gati pjesën teknike, energjinë elektrike, tavolina, karriget, monitorët, kamerat, internetin dhe rrjetet kompjuterike që do të rivendosen për të ofruar transparencë për të gjithë.  Gjithashtu, një grup i posaçëm do të punojë për të veçuar në magazinë kutitë e Tiranës dhe për t’i sjellë për rinumërim sipas një rendi të caktuar e të sigurtë.

Të gjitha këto përgatitje do të kërkojnë të paktën 10 ditë kohë.  I gjithë ky proces sfidues, shoqërohet edhe me një faturë financiare, të cilën KQZ nuk e ka të qartë në këtë moment.  Hapja e të gjitha kutive të Tiranës, do të thotë rinumërim i 1/3 së votave të të gjithë Shqipërisë.

Ky proces nuk u miratua nga të gjithë anëtarët e KAS-it, por vetëm nga dy të PD-së, Ledio Braho dhe Elvis Çefa. PD shpreson që aty të gjejë vota për të marrë një mandat të 14-të, duke ia hequr Mundësisë së Agron Shehajt.  Vetëm Ilir Alimehmeti dyshon se votat ia kanë vjedhur dhe se ai ka marrë më shumë se Jorida Tabaku, e cila aktualisht ka fituar një mandat me 2 mijë 400 vota avantazh.