Këngëtarja e njohur Rita Ora është parë së fundmi në një dalje të relaksuar në Los Angeles, teksa po darkonte në restorantin Sushi Park në shoqërinë e lojtarit të pokerit dhe sipërmarrësit amerikan Driss.
Artistja 35-vjeçare kishte zgjedhur një stil casual për mbrëmjen, e veshur me një pallto të zezë të fryrë, pantallona të gjera po ashtu të zeza dhe një bandanë blu të errët.
Flokët bionde i kishte mbuluar nën aksesor, ndërsa pamjen e plotësoi me grim të lehtë dhe natyral, sipas mediave të huaja.
Driss, koleksionist arti me banim në Kaliforni, u shfaq me një bluzë me kapuç dhe pantallona të errëta, ndërsa në një moment u pa duke i treguar diçka këngëtares në telefon.
Ai ka marrë pjesë dy herë në emisionin e pokerit Hustler Casino Live, përfshirë një episod ku luajti përkrah producentit Benny Blanco, bashkëshorti i këngëtares Selena Gomez.
Së fundmi, Rita Ora ka folur hapur edhe për jetën e saj familjare, duke treguar se roli i njerkës për vajzat e bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi, ka qenë një “zbulim i madh” për të. Ajo u shpreh se rutina e tyre përfshin aktivitete të përbashkëta dhe kohë cilësore me familjen, përvojë që e ka ndihmuar të kuptojë se në jetë ka më shumë sesa shqetësimet e përditshme.
Artistja ka ndarë edhe më parë detaje për martesën e saj me Waititin, duke theksuar se baza e marrëdhënies së tyre është miqësia e fortë. Çifti u martua në një ceremoni sekrete në gusht të vitit 2022, pas disa vitesh miqësie dhe një lidhjeje që u bë publike në vitin 2021.
Rita ka pranuar gjithashtu se pas disa marrëdhënieve jo të suksesshme në të njëzetat e saj, lidhja me Waititin i ka sjellë ndjenjën e sigurisë dhe qetësisë që kishte kërkuar prej kohësh.