Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një seri fotosh të reja, ku shfaqet mes momenteve të përditshme, përgatitjeve për evente dhe çasteve të qeta pranë natyrës.
Dy imazhe që tërhoqën vëmendje të veçantë janë realizuar në Ada Bojana, gjatë një vizite të shkurtër të Ritës në Ulqin.
Në njërën foto, ajo mban në dorë një spec të kuq të freskët, ndërsa në tjetrën shihet buzë një ujvare duke lexuar librin “The List” të Yomi Adegoke, në një atmosferë relaksi dhe reflektimi.
Burime pranë saj bëjnë të ditur se këngëtarja ka kaluar disa ditë në Ulqin së bashku me prindërit, Verën dhe Besnikun, si pjesë e një udhëtimi familjar përpara se të vijojë turneun e saj veror.
Në postimet e tjera, Rita shfaqet në stilin e saj karakteristik – nga një look urban në rrugët e qytetit dhe momente spontane në prapaskenë, deri te veshjet elegante në makinat luksoze.
Vëmendjen e marrin edhe detajet: syzet e zeza, bizhuteritë, thonjtë e kuruar dhe zgjedhjet e thjeshta, por plot stil.
Këto imazhe vërtetojnë edhe një herë se, përveç suksesit global, Rita Ora mbetet e lidhur fort me rrënjët e saj shqiptare, duke zgjedhur shpesh trojet tona për të rigjeneruar energjitë dhe për të kaluar kohë me familjen.