Rita Wilson ka ndarë një nga momentet më emocionale të jetës së saj, teksa foli për betejën e vështirë me kancerin e gjirit në vitin 2015 dhe frikën që përjetoi gjatë asaj kohe.
Aktorja 69-vjeçare, bashkëshortja e Tom Hanks, iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë dhe ndërhyrjeve rindërtuese, duke u shkëputur për një muaj edhe nga shfaqja në Broadway “Fish in the Dark”, për t’u fokusuar te trajtimi.
Gjatë një bisede publike me mikeshën e saj Demi Moore në New York, Rita kujtoi momentin kur foli me Tom Hanks për mundësinë më të keqe.
I thashë Tomit: nëse ndodh diçka dhe unë iki e para, kam vetëm dy kërkesa. E para, dua që të jesh i trishtuar për një kohë shumë të gjatë
-tregoi ajo.
Por kërkesa e dytë ishte krejt ndryshe.
Dua të më organizosh një festë. Dua të jetë një festë e jetës, me njerëz që tregojnë histori, me gëzim dhe duke më kujtuar në atë mënyrë
Wilson zbuloi gjithashtu se kënga e saj e vitit 2019 “Throw Me a Party” u frymëzua pikërisht nga kjo periudhë e vështirë, kur nuk e dinte se çfarë do të sillte e ardhmja.
Ajo kujtoi se diagnoza fillestare nuk e zbuloi kancerin dhe vetëm pas një opinioni të dytë u konfirmua sëmundja. Për këtë arsye, Rita inkurajoi të gjithë që të kërkojnë gjithmonë mendim të dytë nëse diçka nuk u duket në rregull.
Isha me fat që e kapa herët, kisha mjekë të shkëlqyer dhe mora një opinion të dytë
-tha ajo.
Në mars të vitit të kaluar, Rita festoi 10 vite pa kancer dhe shprehu mirënjohje të madhe për familjen, miqtë dhe mjekët që e mbështetën gjatë rrugëtimit të saj.