Rivali i Aldo Bares, Julian Sulo, i ka shpëtuar një atentati të organizuar ndaj tij, sot në qytetin e Lushnjës. 45 vjeçari po lëvizte me makinë në afërsi të spitalit, kur autorët i zunë pritë dhe qëlluan në drejtim të tij me breshëri kallashi. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:40, ndërsa Sulo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Plumbat që u derdhën drejt makinës së tij, e kanë kapën në këmbë.
Autorët kanë qenë në makinë në momentin e qitjes duke qëlluar në lëvizje. Pak minuta pas atentatit, mjeti i tyre u gjet i djegur në fshatin Lifaj. Brenda ishte edhe arma e përdorur.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, të cilët janë larguar pa lënë asnjë gjurmë. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit për kapjen e tyre.
Njoftimi policor:
Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J.S., 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është Julian Sulo?
Julian Sulo i njohur dhe si “Juli Pashakos” është emër i njohur për Policinë e Shtetit, i arrestuar edhe më parë si i përfshirë në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por nuk u gjet asnjë provë ndaj u la i lirë.
Sulo ishte ndër të dyshuarit për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Aldo Bares, ndonëse para hetuesve deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me krimin. Më parë, Sulo është dhunuar fizikisht me leva, duke pësuar dëmtime të shumta. Autorët nuk u zbuluan.
Në ngjarjen e sotme, ka pasur të shtëna mes grupit të autorëve që sulmoi Sulën dhe ky i fundit u kundërpërgjigj. Në të kaluarën, ai është arrestuar në kufi duke tentuar të largohej me Redjan Rrajën, teksa u akuzua si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj. Por, më pas u la i lirë.